Bota

Gjermania planifikon rritjen graduale të moshës së pensionit në 70 vjeç, Merz: Reforma e domosdoshme!

Qeveria gjermane po avancon me një reformë të thellë të sistemit të pensioneve, duke propozuar rritjen graduale të moshës së daljes në pension deri në 70 vjeç, si përgjigje ndaj plakjes së popullsisë dhe sfidave ekonomike afatgjata. Kancelari Friedrich Merz ka mbështetur rekomandimet e një komiteti ekspertësh, i cili sugjeron që mosha e pensionit të lidhet me rritjen e jetëgjatësisë. Sipas planit, ata që do të dalin në pension në fillim të viteve 2030 do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në moshën 67 vjeç, por kufiri do të rritet gradualisht në dekadat në vijim, me objektivin që të arrijë në 70 vjeç deri në fillim të viteve 2090.

Paketa e reformës përfshin 33 masa dhe synon të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit të sigurimeve shoqërore. Një prej propozimeve kryesore është zgjerimi i bazës së kontributeve, duke përfshirë edhe nëpunësit civilë dhe të vetëpunësuarit në skemën e detyrueshme të sigurimeve.

Një tjetër risi është investimi i një pjese të kontributeve të pensioneve në tregun e aksioneve, me synimin për të rritur fondet dhe për të garantuar stabilitet financiar për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, një nga pikat më të debatueshme të reformës është heqja e mundësisë për dalje të parakohshme në pension pas 45 vitesh pune. Aktualisht, shumë punonjës mund të dalin në pension në moshën 63-vjeçare pa penalizime, por kjo e drejtë pritet të hiqet.

Sindikatat dhe përfaqësues të krahut të majtë kanë kritikuar planin, duke argumentuar se ai prek veçanërisht punëtorët në profesione fizike dhe me paga të ulëta. Nga ana tjetër, ekspertët që hartuan propozimet theksojnë se sistemi aktual ka favorizuar kryesisht punonjësit me të ardhura më të larta dhe karrierë të pandërprerë.

Pavarësisht kritikave, Merz është shprehur i vendosur për miratimin e reformës, duke theksuar se ndryshimet janë të nevojshme për të mbrojtur sistemin e pensioneve dhe për të shmangur barrën financiare mbi brezat e rinj. Sipas tij, objektivi është që projektligji të kalojë në parlament përpara pushimeve verore, duke e konsideruar këtë një prioritet të qeverisë së tij.