Bota

Trump kërcënon të tërheqë trupat amerikane nga Gjermania pas përplasjes me Merz-in!

Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi të tërheqë trupat amerikane nga Gjermania pas një përplasjeje verbale me kancelarin gjerman, Friedrich Merz. I zemëruar nga deklarata e Merzit se SHBA-të ishin “poshtëruar” nga Irani, Trump la të kuptohet se mund të zhvendosë forcat amerikane drejt Evropës Lindore ose madje në Groenlandë, sipas burimeve të brendshme.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, shkroi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë reduktimin e trupave në Gjermani dhe se një vendim pritet të merret së shpejti.

Burime të afërta me administratën kanë sugjeruar se trupat mund të dërgohen në Poloni, Rumani, Lindjen e Mesme ose Groenlandë, një opsion që do të shkaktonte alarm në Evropë, duke pasur parasysh se Trump ka përmendur më herët mundësinë e aneksimit të ishullit, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Përplasja nisi pasi Merz deklaroi se delegacioni amerikan ishte ndjerë i turpëruar me dështimin e bisedimeve të paqes në Islamabad më 12 prill, duke thënë se “një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane”.

Gjithashtu, kritikoi mungesën e një strategjie daljeje nga administrata Trump, duke e krahasuar me përvojat e dhimbshme të SHBA-ve në Afganistan e Irak. Trump reagoi ashpër, duke e akuzuar Merzin se “nuk e di për çfarë po flet” dhe duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq”.

Megjithatë, Merz ka insistuar se marrëdhënia e tij personale me presidentin amerikan mbetet e mirë, edhe pse ka pasur dyshime që nga fillimi për luftën në Iran. Lidhjet e Trump-it me udhëheqësit evropianë janë përkeqësuar, pasi ata kanë rezistuar ndaj përfshirjes në konfliktin e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

Ai ka kritikuar publikisht kryeministrin britanik, Keir Starmer, për refuzimin e përdorimit të bazave britanike nga bombarduesit amerikanë, si dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni për mungesë “guximi”.

Trump po shqyrton edhe masa ndëshkuese ndaj NATO-s, pasi aleatët refuzuan kërkesën e tij për të dërguar anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit.

Një nga idetë e tij është vendosja e një “modeli pagesë për të luajtur”, që mund të kufizojë rolin e aleatëve në vendimmarrje, përfshirë kur blloku shkon në luftë.

Burime të “The Telegraph” konfirmuan se presidenti ka menduar për tërheqjen e trupave nga Gjermania që prej rikthimit të tij në detyrë në vitin 2025.