Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dorëzuar rekurs në Apelin e Gjykatës së Posaçme, për masën e sigurisë, që e pengon të dalë jashtë vendit.
Kërkesa për heqjen e bllokimit të pasaportës, pritet të gjykohet nga Gjykata e Lartë.
Më 20 nëntor 2025 SPAK e mori të pandehur ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku për shkelje të barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë, dhe e pezulloi nga detyra. Por pas padisë së Kryeministrit Edi Rama, Gjykata Kushtetuese e riktheu zëvendëskryeministren në karrigen qeveritare.
Më 16 dhjetor, SPAK, kërkoi leje nga Kuvendi për ta arrestuar Ballukun, me elementë të rinj hetimor ndaj saj, duke vënë në dijeni deputetët se është në hetim për 7 lote të Unazës së Tiranës dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ishte parashikuar të mblidhej dje në orën 12:00 për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
“Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, si dhe duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”-thuhet në vendim.