Rajoni

Greqia në zgjedhje të dielën, vështirë të fitohet besimi i të rinjve!

Në Greqi, politikanët janë në garë për të fituar vota për zgjedhjet parlamentare të së dielës, ndërsa u janë drejtuar platformave YouTube e TikTok për të siguruar votat e brezit të ri. Për vite të tëra të  shënuara nga kriza, të rinjtë mendojnë se situata në vend u ka kushtuar periudhën e rinisë.

Të kesh besimin e personave nën 30 vjeç është shndërruar në sfidë për partitë në mbarë spektrin politik para zgjedhjeve të 21 Majit. Të gjitha premtimet e forcave politike duket se nuk po bindin këtë brez.  Sistemi i ri zgjedhor nënkupton që fituesi nuk mund të zgjidhet menjëherë të dielën, ndaj çdo votë ka rëndësi.

Sondazhet kanë sugjeruar se partia konservatore në pushtet, Demokracia e Re, po kryeson përballë partisë së majtë, Syriza. Në mesin e votuesve të rinj, partitë opozitare të majta janë më popullore, por shumë prej tyre mbeten të pavendosur. George Arapoglou, që udhëheq kompaninë e sondazheve, “Pulse” u shpreh:

Eshtë një brez i grekëve që u rrit në kushte të vështira e të paprecedenta, që nuk i lejon t’i marrin vendimet shumë lehtë. Atyre nuk u duhet askush që t’i informojë, atyre u duhet dikush që t’i bindë.

Nëse fiton, partia Syriza ka thënë se do të heqë kriteret për pranim në universitet, ndërsa Demokracia e Re premtoi se do të japë 150 euro për të gjithë ata që mbushin 18 vjeç.

Inflacioni dhe rritja ekonomike janë çështjet kryesore që shqetësojnë të rinjtë e ndërsa 82% e tyre kanë thënë se do të votojnë, vetëm 35% besojnë se zgjedhjet mund të përmirësojnë situatën. Kjo sipas një sondazhi të bërë nga organizata Eteron.

Problemet e mëdha të Greqisë me demografinë nënkuptojnë se votuesit e rinj janë vetëm një pjesë e vogël e elektoratit, me rreth 18%, por politikanët nuk mund të jenë indiferentë ndaj kësaj pjese të shoqërisë greke.