Eksporti i shërbimeve të dixhitalizuara mund të jetë një potencial i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se politikat industriale, sot nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e industrive të vjetra, por me nxitjen e sektorëve të së ardhmes, që mund të rriten, të shkallëzohen e të krijojnë vlerë të qëndrueshme.
Ai theksoi se për shumë vende të BERZH-it, përfshirë Shqipërinë, rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të dixhitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht.
Këto “shërbime të inovacionit global”, si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne e kapacitete të larta institucionale. Disa ekonomi të Europës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lidere në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë.
Si ekonomi e vogël dhe e hapur, me 70% të tregtisë të orientuar drejt BE-së, Shqipëria ka më shumë për të fituar, duke ecur drejt konvergjencës me Bashkimin Europian. Përveç kësaj, anëtarësimi në SEPA na afron me tregjet europiane dhe redukton kostot e transaksioneve ndërkombëtare me 30%.
Sejko theksoi nevojën për përfshirje e qëndrueshmëri.
Politikat industriale nuk duhet të fokusohen vetëm te sektorët ku kemi potencial për të fituar në tregjet globale, por edhe te ata që janë jetikë për punësimin dhe kohezionin social brenda vendit. Ato duhet të mbështeten nga politika vendore të përshtatura për kontekste specifike, si zonat ekonomike të veçanta. Duhet të dizenjohen me kujdes, duke theksuar karakteristikat specifike lokale e rajonale.
Gjithashtu, ndihma shtetërore duhet të fokusohet te firmat me potencial të lartë. Të dhënat tregojnë se firmat e reja dhe dinamike janë nxitëset kryesore të punësimit e inovacionit. Politika të orientuara për stimulimin e tyre, të tilla: si garancitë e kredive, huatë me interesa të subvencionuara apo fondet e kapitalit sipërmarrës të mbështetura nga shteti, mund të sjellin një ndryshim të madh.
Guvernatori vuri në dukje se Banka e Shqipërisë po jep kontribut të rëndësishëm edhe në përmirësimin e përfshirjes në financë, përmes inovacionit të sistemeve të pagesave e anëtarësimit në SEPA, institucionalizimit të llogarisë bazike, mbikëqyrjes efektive, edukimit financiar e promovimit të inovacionit financiar.
Ju ftoj të jemi ambiciozë, por të kujdesshëm. Të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet e infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit europian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë.