“Stadi i sotëm i zhvillimit e vendos Shqipërisë përballë sfidës së konkurrencës për kapital dhe fuqi punëtore me tregun europian”. Sot në fjalën e mbajtur gjatë konferencës së 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko deklaroi se ky është një moment delikat që përbën një sfidë për ekonominë shqiptare.
Si një vend me të ardhura të mesme, tashmë Shqipëria është e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian.
Sejko theksoi se gjithnjë e më shumë, Shqipërisë i duhet të bazojë modelin e saj të zhvillimit te rritja e produktivitetit, inovacioni, si dhe identifikimi e zhvillimi i avantazheve të saj krahasuese.
Kjo sfidë e fundit bëhet edhe më e komplekse në prani të trendeve të pafavorshme demografike në Shqipëri, rajon e më gjerë, që vendosin një premium të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar.
Një tjetër sfidë për ekonominë shqiptare është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj.
Rikonfigurimi i zinxhirëve të prodhimit botëror, si dhe rritja e barrierave tregtare, tashmë janë një realitet i ri ekonomik. Ky realitet dëmton ekonomitë në zhvillim në dy mënyra.
Së pari, frenon alokimin efektiv të resurseve në nivel global e rajonal, duke reduktuar aftësinë e vendeve në zhvillim për të tërhequr investime dhe kapital të huaj.
Së dyti, rrit volatilitetin dhe pasigurinë, duke frenuar investimet afatgjata e detyruar vendet në zhvillim të forcojnë rrjetet e tyre të sigurisë, fenomen, i cili natyrisht ka kostot e veta.
Po ashtu, guvernatori theksoi çështjen e inovacionit të shpejtë financiar.
Gjatë dekadës së fundit jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar, i cili ka potencialin të transformojë rrënjësisht vetë këtë industri.
Digjitalizimi i vazhdueshëm i sistemeve të pagesave, evoluimi i shpejtë dhe rritja e përdorimit të teknologjisë blockchain, aseteve digjitale e financës të decentralizuar ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Përfitimet e inovacionit vijnë nga reduktimi i kostove dhe zgjerimi i aksesit në financë, çka rrit eficiencën e industrisë financiare e kontributin e saj në zhvillimin e vendit.
Nga ana tjetër, rreziqet potenciale burojnë si nga ndikimi negativ që ky inovacion ka në modelin e biznesit dhe bilancet e ndërmjetësve tradicionalë financiarë, ashtu edhe nga eksperienca e pakët e rregullatorëve, publikut të gjerë, por edhe e operatorëve të kësaj industrie.
Megjithatë, rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen në cilësi e në sasi, nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Këto përfitime vijnë si në formë direkte, nga rritja e aksesit në programet e përbashkëta të zhvillimit të Bashkimit Europian, ashtu edhe në formë indirekte, nga rritja e investimeve të huaja, si pasojë e përmirësimit të klimës së biznesit dhe reduktimit të rrezikut të perceptuar.