Aktualitet

Eksportet shqiptare u deindustrializuan gjatë viteve 2010-2022!

Shqipëria është vendi më pak i industrializuar në Rajon dhe gjithashtu gjatë 2010-2022 ka përjetuar një deindustrializim dramatik të shportës së eksporteve. Sipas një analize të fundit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) mbi kapacitetet industriale të Ballkanit, Shqipëria renditet e fundit në Rajon për industrializimin e ekonomisë.

Të dhënat tregojnë se kontributi i sektorit të prodhimit në totalin e eksporteve të mallrave ra ndjeshëm nga 75% më 2010-ën, në vetëm 20% më 2022-shin. Raporti tregon se ndërkohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor (BB6) ka shënuar përparime të dukshme në rritjen industriale, si në kontributin e prodhimit industrial ndaj PBB-së (nga 9% më 2010-ën, në 10% më 2022-shin) dhe në rritjen e kapaciteteve eksportuese në shumicën e vendeve.

RCC rekomandon për Shqipërinë adoptimin e një kornize të qartë politike, diversifikimin e prodhimeve dhe forcimin e integrimit rajonal si masa kyçe për të përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në tregjet globale e për të nxitur një zhvillim industrial më të qëndrueshëm.

Analiza tregon Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina dhe gjithashtu Mali i Zi kanë peshë të ulët të eksporteve të bazuar në teknologjinë e lartë, duke theksuar një mungesë të avancimit teknologjik në sektorët e tyre të prodhimit.

Rezultatet tregojnë se nga vendet e Ballkanit, Sllovenia është pararendësja e vetme e cila ka industrializuar ekonominë dhe eksportet e saj e në anën tjetër renditet Shqipëria, me rezultate shumë të dobëta në procesin e industrializimit. Kosova, Mali i Zi, Bosnja, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre eksportuese për frymë.

Shumica e ekonomive të BB6-ës dëshmojnë një konvergjencë drejt niveleve të BE-së, kapaciteti i tyre i prodhuar eksportues është ende vetëm një pjesë e vogël e BE-së. Serbia dhe Maqedonia e Veriut i afrohen më shumë mesatares së BE-së.

Kapaciteti i tyre eksportues është sa një e katërta e BE-së, ndërsa në Shqipëri është rreth 98% më i ulët, çka tregon se vendi ka ende një rrugë të gjatë për të arritur konvergjencën industriale me BE-në. Dokumenti thekson se ndërkohë që shumica e vendeve të BB6 kanë pasur një rritje të dukshme në kapacitetin industrial dhe eksportin, Shqipëria përballet me disa sfida në këtë drejtim.

Raporti vlerëson se vendi ynë mund të ketë një ritëm më të ngadaltë të zhvillimit industrial krahasuar me partnerët rajonalë./Monitor