Rajoni

Hapen qendrat e votimit në Zveçan, voton kandidatja e vetme serbe për kryetare komune: Pres ndryshime

Edhe në komunën e Zveçanit qendrat e votimit janë hapur në kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar dhe këshilltarë komunalë.

Kandidatja e pavarur dhe e vetme serbe, Sllagjana Pantoviç ka votuar para pak çastesh në qendrën e votimit pranë stacionit të policisë në Zveçan. Pas votimit, ajo deklaroi se pret ndryshime në këto zgjedhje sepse deri tani gjërat nuk kanë shkuar siç duhet. Pantoviq ka falënderuar të gjithë ata që dalin për të shfrytëzuar të drejtën e votës.

Janë gjithsej pesë qendra të votimit në të cilat 6 mijë e 998 qytetarë të kësaj komune do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votes, raporton KosovaPress.

Situata aktuale e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë problem, ndërsa vërehen pjesëtarët e Policisë së Kosovës afër këtyre qendrave, sidomos atyre alternative, të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë.