Ndërsa ora 07:00 e mëngjesit shënon hapjen e qendrave të votimit dhe disa qytetarë me të drejtë vote i janë drejtuar atyre për të votuar në këto zgjedhje vendore, shënohen dhe problematikat e para. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu në një raportim live për të ndjekur votimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një qendër votimi në mjediset e shkollës “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë konfirmoi se në të tre vendvotime, përfshirë atë të Celibashit nuk punonte PEI, pajisja e identifikimit elektronik.
Në një prononcim për gazetarin Veliu, Celibashi tha se ky është një problem që do të zgjidhet shpejt. Kamerat e TCH ofruan pamje të momentit kur Celibashi po asistonte operatorin atje për të mundësuar vënien në punë të PEI-t, pra lidhjen me pajisjen e identifikimit. Në rastet kur nuk mundësohet lidhja brenda tre orëve e problemin e ka pajisja, më pas vijohet me votimin manual. Gazetarët e TCH në terren raportojnë se për probleme teknike, të lidhura me printerin apo PEI-n nuk ka nisur procesi i votimit. I tillë është rasti i Kamzës, një prej tre bashkive ku rezultati pritet të dalë në 30 minuta. Një rast tjetër u evidentua në vendvotimet e shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet.
Në një tjetër problematikë, u mësua për një rast dhune ndaj kandidatit të PS-së në Kolonjë, goditet kandidati i Partisë Socialiste, Erion Isai. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD pranë fshatit Qinam. Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Nuk ka pasur ndërhyrje nga shoqëruesit e Isait por është njoftuar policia e cila ka shoqëruar agresorin. Eshte shoqeruar nga policia Esmerald Kacolli autori.