Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, ku dha rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të djeshme në 5 bashkitë e vendit, u ndal edhe te përdorimi i AI në numërimin e votave në Tepelenë, ku tha se rezultoi me sukses.
“Në Tepelenë testuam përdorimin e AI në numërimin dhe vlerësimin e votave. Kjo mënyrë e numërimit asesi nuk kishte për qëllim të zëvendësonte mënyrën manuale që përcakton Kodi Zgjedhor. Përdorimi i AI ishte test teknik, nëpërmjet të cilit ne si KQZ donim të shihnim sesa e dobishme mund të jetë në të ardhmen përdorimi i kësaj risie. Së paku përdorimin e AI në numërim e kemi parë si mjet të përshtatshëm për kntrollin e profesionalizmit dhe ndershmërisë të numëruesve dhe komiisonerëve testi i kryer dje ishte i suksesshëm, dhe përmbushi të gjitha pritshmëritë e KQZ. Leximi dhe numërimi fletëve u krye me sukses të plotë duke përdorur AI. U lexuan dhe analizuan në kohë reale nga programi përkatës kompjuterik. Në përgjithësi leximi dhe analiza e këtyre pamjeve prodhoi thuajse 100% të njëjtin rezultat të numërimit fizik. Pamet e faqes ballore të fletës, u lexuan me saktësi të plotë nëpërmjet sistemit të AI. U konstatuan vetëm disa pasaktësi në leximin e pjesës së pasme të fletës së votimit. Vlerësojmë që në të ardhmen arritja e saktësisë do të varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike që do të dhet të respektohen nga numëruesit dhe komisionerët. Së pari, e qartë se duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që rezultatet nëpërmjet teknologjie të konsiderohen ligjërisht zyrtare”, tha ai.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk e ka shmangur mundësinë që të ardhmen inteligjenca artificiale të implementohet në procesin zgjedhor, por pa saktësuar aspektin, përfshirjen apo dhe kohën se kur mund të ndodhë.
“Ndoshta për të gjithë duhet sqaruar se Ai në rastin e zgjedhjeve, mund të përdoret për shumë aspekte. Ne e pamë si me dobi pa përdorur për numërim dhe vlerësim të fletëve të votimit. Përdorimi i AI nuk shmang nga pikëpamja teknike komisionerët apo numëruesit de duhet të jetë dikush që i shfaq fletët e votimit përpara kamerës. Në kuptim të kohës dhe saktësisë, për gjykimin tonë, do të ishte e udhës që të përdorej në të ardhmen. Nëse përdorim pajisje elektronike të numërimit dhe vlerësimit, këtë proces e kryen vetë pajisja përkatëse. Për sa kohë që AI po përdoret në shumë aspekte të jetës globale, nuk ka asnjë arsye pse dhe në proceset zgjedhore të mos përdoret. Pastaj në cilin moment apo aspekt do të diskutohet. E bëmë këtë test, as të nxitur dhe as të frymëzuar nga praktika t të 3-tëve. E ka sjellë zhvillimi global si mundësi për ta përdorur këtë risi. S’ka asnjë arsye që të kishim droje për të hezituar për ta testuar përdorimin e AI. Tej qasjeve sarkastike të dikujt, ne vlerësojmë që do t’ia vlejë në të ardhmen”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në konferencën për mediat u pyet edhe për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe sa legjitimë janë fituesit si kryetarë bashkie. Sipas tij, për të vlerësuar një proces zgjedhor, nuk është domosdoshmëri që të ketë një kufi të pjesëmarrjes.
“ Në gjykimin e vlerësimin tim, i përkas grupit të atyre personave që angazhohen në procesin zgjedhor, që nuk është domosdoshmëri që të ketë kufi të pjesëmarrjes për t’i konsideruar zgjedhjet e vlefshme. Po ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Ka argumente për të dyja pikëpamjet. Ta vlerësojë politika se si e kanë interesin dhe si ato mendojnë se është interesi i qytetarëve. Për mua edhe ata që nuk votojnë, kanë një shprehje të interesit të tyre politik.”, tha ai.