Gjatë konferencës për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u pyet se kur do të dalin zgjedhjet në pesë bashkitë.
Ai tha për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë mesditën e së hënës.
Gazetarja Elda Menga: Ka një parashikim KQZ se kur del rezultati zyrtar për pesë bashkitë?
Celibashi: Qartazi varet nga pjesëmarrja, por nëse do jetë pak a shumë ajo e vitit 2023, do ta përfundojmë procesin e numërimit në mesin e ditës së hënë.
Janë 334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë që pritet të votojnë sot, teksa qendrat e votimit janë hapur që prej orës 07:00, edhe pse në disa prej tyre pati vonesa.
Referuar përcaktimit në kodin zgjedhor, kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.
Në Vlorë numri i qytetarëve do të votojnë në 232 qendra votimi janë 171.895. Në Tepelenë votojnë 12 mijë e 667 qytetarë në 22 qendra votimi.
Në Mat janë 29 mijë e 92 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa qendrat ku do të votojnë janë 47. Në Cërrik ka 57 qendra votimi, dhe numri i zgjedhësve është 38 mijë e 724.
Në bashkinë e pestë ku ka zgjedhje Berati të drejtën e votës e kanë 82 mijë e 161 zgjedhës, të cilët do të votojnë në 116 qendra votimi.
Në garën për zëvendësimin e 5 kryebashkiakëve të zgjedhur deputetë, apo ministër si në rastin e Andis Sallës së Cërrikut janë 13 kandidatë.
Fushata e këtyre zgjedhjeve të pjesshme kaloi pa shumë zhurmë dhe as protagonizëm. Nuk pati mitingje dhe as takime elektorale ku të pranishëm të ishin liderët e partive kryesore.
Ndryshe nga herë të tjera Partia Demokratike nuk kishte kandidatë të regjistruar nën siglën e saj apo ndonjë partie tjetër opozitare, ndonëse de fakto kanë shprehur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur në këtë garë.
Ndërkohë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në daljen për mediuat tha se grupmosha që ka marrë pjesë më shumë në këto votime janë ata mbvi 65 vjeç, ndërsa vihet re një ‘braktisje’ e kutive të votimit nga të rinjtë.
Ndërkohë qarku i Vlorës rezulton ai me numrin më të ulët të votuesve në krahasim me 4 bashkitë e tjera.