Aktualitet

Helmimi i 60 studentëve/ Skënder Hita mbledh me urgjencë drejtuesit e Akademisë së Sigurisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbledhur me urgjencë drejtuesit e Akademisë së Sigurisë për të analizuar situatën e krijuar pas helmimit të 60 kursantëve.

Mësohet se Hita ka qenë personalisht në ambientet e Akademisë së Sigurisë që në mesnatë, menjëherë pasi kursantët u dërguan në Repartin Infektiv të QSUT-së për të marrë ndihmë mjekësore.

Mësohet se kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi që mund të rezultojë përgjegjës.

Për herë të dytë në më pak se dy muaj, 60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk u helmuan dhe shkak dyshohet se u bë sërish ushqimi katering që vijon të shërbehet nga kompania “SORI-AL”. Mostrat e menusë  së konsumuar në darkë janë marrë nga AKU për të përcaktuar shkakun. Herën e parë kompania u gjobit me 1.5 milionë lekë, ndërsa iu zhbllokua aktiviteti.

Fillimisht ishin 31 kursantë që mbrëmjen e së mërkurës patën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, dhe përfunduan në spital për ndihmë mjekësore. Pas tyre, mëngjesin e sotëm u paraqitën me simptoma helmimi në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë që u dërguan po ashtu në spitalin Infektiv në QSUT.