Studentët nga Universiteti i Tiranës e Prishtinës janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, për të vijuar me protestën në mbështetje të moshatarëve në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë të drejtën për të realizuar provimet në gjuhën shqipe. Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, studentët po marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Ata shihen me flamuj shqiptarë në duar, pankarta, plisa në kokë dhe tupanë. Gjithashtu, mbajnë edhe një banderolë të madhe me mbishkrimin: “Ne jemi bashkë” që i bashkohet thirrjes “O sa mirë me qen shqiptar!” duke vijuar me himnin kombëtar për të simbolizuar nisjen e protestës.
Studentët deklarojnë se protesta nuk është politike dhe kanë bërë thirrje që kushdo që ka qëndrime politike, të largohet. Ata thonë se nuk do të tërhiqen derisa provimi të realizohet në gjuhën shqipe.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, u shprehën ata.
Pasi mbajtën disa fjalime në nisje të protestës, studentët sapo kanë filluar marshimin nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Ata kanë vijuar me thirrjet “Gjuha shqipe, gjuha jonë”, “Duam shqipen zyrtare” dhe “O sa mirë me qen shqiptar!”