Policia e Tiranës ka nisur verifikimet për zbardhjen e shkaqeve të helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke sekuestruar dokumentacionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për kontrollet e kryera ndaj kompanisë private “SORI-Al”, e cila furnizonte me ushqim studentët.
Sipas policisë, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ka marrë të gjithë dokumentacionin që disponon AKU për kontrollet e ushtruara ndaj këtij subjekti privat.
Dokumentet e sekuestruara përfshijnë periudhën nga janari i këtij viti deri më tani, me qëllim verifikimin nëse kompania është kontrolluar sipas procedurave dhe kërkesave ligjore.
Hetuesit po verifikojnë nëse ka pasur parregullsi gjatë kontrolleve të kryera nga institucionet përgjegjëse, të cilat mund të kenë ndikuar në helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë, rast i cili është përsëritur dy herë.
Njoftimi i Policisë:
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin që disponon AKU për kontrollet që janë nënshtruar për subjektin privat SORI-Al.
Oficerët e policisë kanë marrë dokumentet në këtë institucion që nga janari deri më tani për të parë nëse kompania private është kontrolluar siç e parashikon ligji. Policia e Tiranës kërkon të zbulojë nëse ka parregullsi në kontrollet e ushtruara, që mund të kenë ndikuar në helmimin dy herë të studentëve të akademisë së sigurisë.
Grupi hetimor është në pritje të analizave zyrtare për të përcaktuar shkakun e vërtetë të helmimit të 64 studentëve të cilët u dërguan në spital me shenja të dukshme helmimi si dhimbje barku, të vjella, temperaturë etj.
Në varësi të përgjigjes së analizave që do merren në dispozicion nga institucionet, mund të ketë edhe urdhër ndalime për persona përgjegjës për helmimin e studentëve.