Rajoni

Heqja e masave ndaj Kosovës, mospajtime në BE!

Javën e ardhshme, pritet që Këshilli i Bashkimit Europian të deklarojë se gradualisht do t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por paralelisht me hapat e tjerë që duhet të ndërmarrë vendi për t’i ulur tensionet në veriun me shumicë serbe. Kjo duhej të ishte pjesë edhe e përfundimeve të ministrave të vendeve anëtare që më 17 dhjetor takohen në Bruksel, në të ashtuquajturin Këshill i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian. Por, edhe në këtë pikë ka dallime në qëndrime mes vendeve anëtare, ndaj për konkluzionet, sot sërish ka diskutime mes ambasadorëve të tyre.

Radio Evropa e Lirë ka pasur akses në draftin e këtyre konkluzioneve ku përmenden edhe çështje të tjera, lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së.

Në përputhje me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë, në emër të BE-së, Unioni i ka zbatuar masat ndaj Kosovës. Këshilli do t’i heqë gradualisht këto masa, paralelisht me hapat e tjerë të Kosovës për shtensionimin në veri. Këshilli do të merret me ketë çështje.

Versioni i mëparshëm nuk përmendte heqjen e masave dhe ishte pothuajse i njëjtë me të vitit të kaluar, duke shpërfillur faktin se Përfaqësuesi i Lartë pati dhënë rekomandime që masat të hiqeshin. Nuk është e qartë si do t’iu referohen vendet anëtare këtyre konkluzioneve.

Në disa takime të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së janë shfaqur dallime sa u përket masave ndaj Kosovës. Shumica e vendeve anëtare kanë kërkuar që ato të hiqen menjëherë e në tërësi. Por disa vende të tjera, të udhëhequra nga Franca dhe Italia, duan që masat të hiqen gradualisht.

Vazhdimi i mospajtimeve rreth mënyrës së heqjes së masave ndaj Kosovës ka bërë që ato të mos hiqen fare as tërësisht as gradualisht. Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë brenda BE-së, ato mund të mos hiqen para zgjedhjeve në Kosovë që janë caktuar për më 9 shkurt të vitit që vjen.

Blloku europian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023-shin, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja vlerësonte se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim. Dy palët janë pajtuar për marrjen e disa masave ndaj Kosovës, në këmbim të heqjes së tyre. Autoritetet e Kosovës deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe masat e BE-së i konsiderojnë “të padrejta”.