Ethet e Krishtlindjes i kanë kapluar të gjithë këtë vit. Dritat e Krishtlindjes fillojnë të shfaqen në rrugë, qendrat tregtare mbushen me dekorime dhe shumë njerëz kanë filluar tashmë të vendosin pemët ose po mendojnë të dekorojnë shtëpitë. Krahasuar me vitin 2024, dëshira për të festuar ka mbërritur dukshëm më herët, si një lloj refleksi kolektiv që tejkalon traditën.
Gjermania po tërheq sërish vëmendjen e turistëve këtë dimër, falë një prej atraksioneve më spektakolare festive në Europë: pemës më të madhe të Krishtlindjeve në botë, e cila ngrihet çdo vit në sheshin Hansaplatz të Dortmundit. Dortmunder Weihnachtsbaum është shndërruar në një simbol të qytetit dhe një pikë referimi për sezonin e festave.
Ndërkaq, një hotel në Angli zbuloi një dekor të veçantë për festat, një pemë Krishtlindjeje 7,6 metra e ndërtuar nga 100 mijë balona. Instalimi ndodhet jashtë Moor Hall Hotel & Spa, në Sutton Coldfield, Birmingham. Ideja i përket artistes së balonave dhe themeluese së kompanisë Balloon Colour Blending.

Ajo tha se kjo është hera e parë që bëhet një pemë Krishtlindjeje nga balona në Mbretërinë e Bashkuar dhe realizimi ka kërkuar ndihmën e inxhinierëve dhe një ekipi të dizajnit. Pema është vendosur brenda një kupole të madhe transparente për ta ruajtur dhe për të mos lejuar që balonat të shpërthejnë ose të përhapen. Balonat janë biodegradueshme dhe projekti shërben si një fushatë bamirësie për disa organizata lokale.
Rikujtojmë, se Gubbio, qyteti mesjetar në rajonin e Umbrias, ndizet çdo fundvit falë instalacionit gjigant të dritave në malin Ingino, i njohur botërisht si Pema më e madhe e Krishtlindjes. Kjo “pemë” nuk është e vërtetë, por një instalacion spektakolar me më shumë se 3,000 drita shumëngjyrëshe që formojnë siluetën e një peme të shtrirë në faqen e malit. Që prej vitit 1991, ky instalacion mban rekordin Guinness si ekspozimi më i madh në botë i një peme të Krishtlindjes.