27-vjeçari Jani Rustemi, i cili ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror në QSUT ka ndërruar jetë. Mësohet se Rustemi u nda nga jeta rreth orës 16:20. I riu, i cili banonte në Tiranë, ishte i arrestuar për vjedhje ndërsa ka pasur precedent të mëparshëm. 27-vjeçari la pas dy fëmijë dhe bashkëshorten.
Ai ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror të QSUT-së në gjendje të renduar shëndetësore në koma pasi vuan nga “bradipne humbje koshience, acidozë e thellë respiratore”.
Për ngjarjen tashmë është njoftuar prokuroria, komisariati i Policisë dhe Specialisti ShKBSB për veprime të mëtejshme hetimore.
Në fillim të këtij muaji, e ëma e të riut është shprehur se i biri kaloi në koma për shkak të pakujdesisë nga ana e forcave të rendit.Nëna e 27-vjeçarit, më 30 prill rezulton se ka bërë në kallëzim në komisariatin numër 3 në Tiranë. Sipas saj, djali për të cilin pranon se ishte përdorues i lëndëve narkotike, u arrestua për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete dhe hedh akuza ndaj policisë se e kanë dhunuar. Siç ajo citon në një intervistë televizive, mjekët e spitalit të burgut i kanë thënë se i kanë dhënë mbidozë metadoni, ilaç kundër varësisë nga droga.
“Pas disa ditëve, më erdhi policia në shtëpi, më thanë shko në spital se ke çunin me ftohje. Djali ishte shumë keq, doktori tha nuk kam shpresa. Ai ishte shumë mirë, i çoja paketa. Nuk e di, ishte shumë mirë. Doktori më tha i kanë dhënë shumë metadon. Ai pinte hashash, e dija që pinte, jo shumë, ishte për bukuri”, tha nëna e tij.
Ende është e paqartë në rast se ka ndikuar mbidoza e metadonit apo diçka tjetër që përfundoi në gjendje kritike në reanimacionin qendror të Qendrës spitalore Nënë Tereza.
Sipas një raporti të publikuar nga Komiteti i Helsinkit thuhet se 27 vjecari, përdorues, droge, pas shqetësimeve të shfaqura ka marrë trajtimin e parë një ditë pasi është futur në Bllokun e sigurisë, duke u trajtuar me metadon. Por në kartelën mjekësore të të riut, nuk rezulton të jetë kryer asnjë analizë mjekësore për gjendjen e tij dhe për vijimin e mjekimit. Ndërsa pasi ka vijuar të rëndohet është trajtuar me medikamentin diazepam, por pa specifikuar dozën dhe pse u rekomandua ky mjekim.