Aktualitet

Konflikt për motive të dobëta, 60-vjeçari godet me thikë kushëririn në Lushnjë!

Një 60-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se ka plagosur rëndë me thikë kushëririn e tij 71-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen “Loni Dhamo”, në Lushnjë. Sipas Policisë, shtetasi I.Y., 60 vjeç, banues në Lushnjë, dyshohet se ka goditur me mjet prerës kushëririn e tij, F.Y., 71 vjeç.

I plagosuri është transportuar në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe sipas informacionit zyrtar, është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë reaguar menjëherë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe thika e përdorur në ngjarje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.