Aktualitet

I dënuar me 25 vite burg për rrëmbim dhe trafik droge, ekstradohet nga Shqipëria në Itali 56-vjeçari

Një 56-vjeçar shqiptar, Leonard Mnela, i shpallur në kërkim dhe i dënuar për disa vepra të rënda penale në Itali, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë. Ai u shoqërua nga efektivët e Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor të Departamentit italian të Sigurisë Publike dhe mbërriti në Aeroportin e Fiumicinos në Romë, pasi u nis nga Tirana.

LEXO EDHE: Angli/ Tropojani kërkohet nga SPAK, Gjykata e Ekstradimeve i jep liri me kusht dhe “Rolex” elektronik në këmbë…

Sipas autoriteteve italiane, ndaj shtetasit shqiptar është lëshuar një vendim përfundimtar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Salernos, që e dënon me 25 vite burg për një sërë veprash penale, përfshirë: rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, dhunë fizike, posedim të paligjshëm armësh dhe komplot për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

LEXO EDHE: Në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash dhe trafik droge, ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia tre shqiptarë!

Hetimet italiane kanë zbuluar se 56-vjeçari ka qenë udhëheqës i një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës mes Amerikës së Jugut, Shqipërisë dhe Italisë. Ai dyshohet gjithashtu si autor i një rrëmbimi të ndodhur në vitet 1990 në rajonin e Piemontes dhe për lidhje të ngushta me një rrjet kriminal të trafikut të heroinës, aktiv në provincën e Salernos në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000.