Prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar procedim penal për veprën ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’ për vdekjen e 17-vjeçares me iniciale I. M., e cila dyshohet se i dha fund jetës në banesën e saj, më 10 Shkurt, për shkak se bullizohej.
“Mbi bazën e materialeve të referuara nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal nr.70, të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 10.02.2025, ku në banesën e saj në Gjirokastër u gjet e vdekur shtetasja e mitur I. M.,” informon organi i akuzës.
Njoftimi i Prokurorisë:
Vetëvrasja e të miturës I.M., në shtëpinë e saj, Prokuroria Gjirokastër regjistron procedim penal për veprën ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal për veprën penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’ parashikuar në nenin 99 të Kodit Penal.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal nr.70, të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 10.02.2025, ku në banesën e saj në Gjirokastër u gjet e vdekur shtetasja e mitur I. M.
Në kuadër të këtij procedimi,është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, duke nisur nga pyetja e personave që kanë dijeni për veprën penale.
Ngjarja e vetëvrasjes
Një ngjarje e rëndë tronditi Gjirokastrën pasditen e 10 Shkurtit, ku një 17-vjeçare u gjet e vetëvarur në banesën e saj. Familjarët e zbuluan aktin tragjik disa orë më vonë, ndërsa ishte i ati ai që e konstatoi dhe njoftoi urgjencën.
Mjekët konstatuan se adoleshentja kishte ndërruar jetë, duke lënë pas një letër rrëqethëse që ka thelluar edhe më shumë tronditjen e familjes dhe komunitetit.
Në sendet personale të vajzës, familjarët gjetën një letër të shkruar në anglisht, pa datë, në të cilën ajo rrëfente dhimbjen dhe izolimin që ndiente për shkak të bullizmit.
“Pse më bullizojnë mua?”, shkruante viktima, duke dhënë një sinjal të qartë se ndjehej e përjashtuar dhe e sulmuar nga bashkëmoshatarët.
Kjo ka ngritur edhe më shumë dyshime mbi faktorët që e çuan drejt aktit fatal. Në letrën e gjetur mes sendeve personale të vajzës flitej mbi ndjesitë e saj. Ajo përshkruante trishtimin që ndiente për mënyrën se si vishej ndryshe nga bashkëmoshatarët, dëshirën për të pasur veshje më të bukura, shoqëri dhe afrimitet me ta.
Ndërkohë, ngjarja ka rihapur debatin mbi bullizmin në shkolla dhe mungesën e mekanizmave të mbështetjes psikologjike për nxënësit.