Nga fillimi i vitit 2026 do të jetë gati për qytetarët mjeti i Identifikimit Dixhital.
LEXO EDHE: Fatos Nano në gjendje të rëndë në spital, ish-kryeministri në reanimacion prej 12 ditësh!
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin për prezantimin e Identitetit Dixhital, tha se edhe BE synon të bëjë një gjë të tillë deri në vitin 2027. Sipas tij, Shqipëria do të jetë një vit para BE-së në këtë aspekt.
“Një tjetër moment i shumë pritur dhe mirëpritur se prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë por edhe me ambicie si gjithmonë për të krijuar identitetin digjital, i cili është baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe projektimi në të ardhmen falë teknologjisë. Në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit e shtetit dhe të ekonomisë tonë në fillim të vitit të ardhshëm. BE po ashtu po përgatitet për identitetin dixhital, dhe objektivi i shpallur i BE është që në 2027 qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një hap më para dhe e theksoj këtë jo për të nënkuptuar apo afirmuar ndonjë përparësi tonën por për të rikujtuar se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe që i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa që nganjëherë janë edhe historike, është që personalisht e quaj bekim i kësaj kohe se përmes teknologjisë digjitale “, tha Rama.
Ai tha se Shqipëria e 2030-ës do të jetë shumë ndryshe nga sot, ndërsa shtoi se jeta e qytetarëve do të lehtësohet më shumë përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjisë.
“Besojmë se përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të mund të krijojmë kushte premisa tërësisht të reja për shërbimin shëndetësor, për mundësinë e kujtdo për të pasur një vëzhgim dhe trajtim cilësor, pavarësisht gjeografisë ku ndodhet, për sistemin arsimor, po punojmë për të digjitalizuar sistemin e transporteve dhe me radhë. Do të kemi një pamje më mbështetëse përsa i përket të dhënave, për rendin publik, luftën kundër kriminalitetit dhe pamje në kohë reale të ecurisë së jetës së përditshme në shkolla. Do të rritet mundësia e prindërve për të ndjekur ecurinë e sjelljes së fëmijëve në shkollë në momente kritike por dhe në përditshmëri. Programi është më kompleks. Ne do ta çojmë Shqipërinë në 2030 në një nivel krejt tjetër nga ky i sotmi, do ta fuqizojmë qytetarin që t’ia lehtësojmë jetën e përditshme. T’i bëjmë të mundura, me më pak stres ndërveprimet që përndryshe kanë nevojë për më tepër kohë”, tha Rama.