Aktualitet Politikë

Integrimi evropian, Tabaku: Pro, por s’ka transparencë/Spiropali: Integrimi në BE plani i vetëm!

Në Pallatin e Kongreseve u mbajt Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian, Çështjet Evropiane e shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore. Në fokus ishin reformat për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe zgjerimi.

Në takimin e moderuar nga kryetarja demokrate e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Jorida Tabaku, pjesëmarrës ishin kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryediplomati Igli Hasani, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian.

Tabaku shprehu dakordësinë e opozitës për ta çuar vendin drejt BE-së.

Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që të ardhmen e ka në BE, është qëllim i përbashkët jo vetëm i qeverisë, por i të gjitha forcave politike. Shpreh gatishmërinë opozitës që ky proces, megjithëse në mungesë të rezultateve konkrete, të vazhdojë duke qenë se është sinjal i qartë për sfidat politike.

Tabaku kërkoi më shumë transparencë nga maxhoranca.

Komisioni i Çështjeve Evropiane ka qenë pararojë e shumë ndryshimeve për të rritur rolin e Kuvendit. Shpresoj të mos mbeten në letër, e nevojshme transparenca mbi politikat e qeverisë sa i përket pozicioneve negociuese. PD-ja beson se kjo është e ardhmja e Shqipërisë, por situata është e tillë që në pjesën më të madhe të diskutimeve nuk po ofrohet transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali vuri në dukje se “pavarësisht se palët politike kanë mosmarrëveshje dhe debate duke mos u dakordësuar për kalendarët e rendet e ditës në Kuvend, janë të bashkuara në qëllimin e integrimit të Shqipërisë në BE”.

Integrimi evropian nuk është vetëm një projekt më vete, por edhe rajonal, i përbashkët, ndërkombëtar. Por, ka marrë konotacion politik. Ky nuk është vetëm zgjerim, por dhe përfshirja e familjeve në Evropë. Do të ndodhë proces i natyrshëm kulturor, gjeografik, ekonomik e kështu me radhë. Jemi vende me rrënjë, kulturë dhe integritet.

Për shqiptarët, dielli lind nga perëndon. Shqipëria nuk ka asnjë Plan B, por vetëm një Plan A, anëtarësimin në Evropë. Ndaj, palët politike edhe pse nuk bien dakord për kalendarin e punimeve, janë në një mendje për integrimin e Shqipërisë. Shqipëria ka shpallur anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Përfundojmë procesin e negociatave brenda vitit 2027, është qëllim i arritshëm, është prioriteti numër një për vendin.