Bota

Irani mohon pretendimet e Vance-it për rikthimin e inspektorëve bërthamorë!

Irani mohon deklaratat e fundit të zv.presidentit amerikan JD Vance se do të lejojë inspektorët bërthamorë të kthehen në vend, pas raundit të parë të bisedimeve midis Uashingtonit dhe Teheranit për të arritur një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës.

Republika Islamike thekson se nuk ka dhënë asnjë angazhim të ri për rikthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Ministria e Jashtme sqaroi se çdo inspektim do të kryhet vetëm sipas procedurave të miratuara nga Parlamenti dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duke nënvizuar se Teherani nuk ka ndryshuar qëndrim mbi çështjen bërthamore.

Deklarata vjen pas komenteve të Vance-it, i cili u shpreh se inspektorët mund të kthehen “që sot” në Iran, duke e paraqitur këtë si një hap përpara në negociatat e fundit.

Megjithatë, Teherani e cilësoi këtë si një pretendim të pabazë dhe theksoi se vendimet e tij mbeten të pavarura.

Bisedimet mes SHBA-ve dhe Iranit janë përshkruar si “themel shumë i mirë” për një marrëveshje të mundshme brenda 60 ditëve, për t’i dhënë fund luftës. Si pjesë të negociatave, Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar përkohësisht shitjet e naftës iraniane, duke lehtësuar sanksionet e vendosura që prej vitit 1979.