Celebrities Gossip Showbiz

Ish-bashkëshorti i Jennifer Lopez rrëfen prapaskenat shokuese me Diddy-n!

Ish-bashkëshorti i parë i Jennifer Lopez, Ojani Noa, ka bërë pretendime të reja rreth periudhës së martesës së tyre dhe marrëdhënies së artistes me Sean, duke treguar edhe për disa përballje të tensionuara me reperin.

Në një intervistë për “The US Sun”, Noa tha se vitet e para të martesës me Lopez ishin të lumtura, por sipas tij, situata ndryshoi kur këngëtarja filloi punën për albumin e saj debutues “On the 6”.

Sipas tij, afrimiteti mes Lopez dhe Diddy-t u rrit gjatë kohës kur reperi ishte përfshirë si producent në disa prej këngëve të albumit.

Noa pretendon se filloi të kishte dyshime pasi miq të tij i kishin thënë se kishin parë shpesh Lopez dhe Diddy së bashku në hotele në Miami. Ai rrëfen se këngëtarja i kishte mohuar këto dyshime, duke insistuar se marrëdhënia e tyre ishte vetëm profesionale.

Megjithatë, sipas Noa-s, një fotografi ku Lopez shfaqej ulur në prehrin e reperit ishte momenti që e bindi se mes tyre mund të kishte diçka më shumë.

Ai pretendon se kjo çoi në debate të forta mes çiftit dhe ndikoi në përfundimin e martesës së tyre.

Në rrëfimin e tij, Noa foli edhe për një përballje që pretendon se pati me Diddy-n disa vite më vonë, gjatë një feste në Los Angeles për ditëlindjen e asistentes së Jennifer Lopez.

Sipas tij, ai i kërkoi reperit të largohej nga eventi, por situata u tensionua dhe të dy shkëmbyen fjalë të ashpra.

Ish-bashkëshorti i Lopez bëri edhe pretendime më serioze, duke thënë se këngëtarja i kishte treguar se Diddy e kishte kërcënuar atë dhe familjen e saj pasi ajo ishte përpjekur t’i jepte fund marrëdhënies me të.

Noa pretendon gjithashtu se në një rast tjetër Lopez e kishte telefonuar e frikësuar, pasi reperi kishte shkuar pranë shtëpisë së saj dhe po bërtiste jashtë.

Sipas versionit të tij, ai shkoi menjëherë në vendngjarje dhe u përball me Diddy-n, ndërsa më pas ndërhyri policia dhe reperi u largua.

Të gjitha këto deklarata mbeten pretendime të Ojani Noa dhe nuk janë konfirmuar nga Jennifer Lopez apo Sean “Diddy” Combs.

Lopez dhe Noa u martuan në vitin 1997, por martesa e tyre zgjati vetëm rreth një vit, duke përfunduar në vitin 1998. Një vit më vonë, në 1999, këngëtarja bëri publike lidhjen e saj me Diddy-n, e cila u bë një nga romancat më të përfolura të asaj periudhe në industrinë e muzikës.