Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është shpallur fajtor për konspiracion kriminal. Vendimi u mor në seancën e sotme gjyqësore, ku Sarkozy dhe ndihmësit e tij, u akuzuan për lidhjen e një pakti të dyshuar korrupsioni me regjimin e diktatorit të ndjerë libian, Muammar Gaddafi me qëllim marrjen e fondeve për fushatën zgjedhore presidenciale franceze të 2007-ës.
Sarkozy u shkarkua nga tri akuzat e tjera që rëndonin ndaj tij, atë të korrupsionit pasiv, financimit të paligjshëm të fushatës dhe keqpërdorim të fondeve publike, duke u akuzuar vetëm për konspiracion kriminal.
Pritet që ish-shefi i Elizesë ta apelojë vendimin, ndërsa në seancën e sotme mohoi akuzat ndaj tij.
Sipas prokurorëve, Sarkozy dhe ndihmësit kanë hartuar një pakt korrupsioni me Gaddafin e regjimin libian në vitin 2005, për të financuar fushatën e tij presidenciale që do të niste dy vite më vonë. Po sipas prokurorisë, anëtarët e shoqërimit të Sarkozisë kanë zhvilluar takime me anëtarë të regjimit të Gaddafit në Libi ndërsa Sarkozi mbante postin e ministrit të Brendshëm në Francë.
Marrëveshja përfshinte se në këmbim të parave, regjimi libian do të përfitonte favore diplomatike, ligjore dhe biznesi, duke rehabilituar ndër të tjera imazhin ndërkombëtar të Gaddafit.
Udhëheqësi autokrat libian, sundimi brutal 41-vjeçar i të cilit u shënua nga shkelje të të drejtave të njeriut, ishte izoluar ndërkombëtarisht për shkak të lidhjes së regjimit të tij me terrorizmin, përfshirë bombardimin e fluturimit 103 të Pan Am mbi Lockerbie në Skoci në dhjetor 1988.
Menjëherë pasi u bë president i Francës në vitin 2007, Sarkozi ftoi udhëheqësin libian për një vizitë të gjatë shtetërore në Paris, duke ngritur tendën e tij beduine në kopshte pranë Pallatit Élysée. Sarkozi ishte lideri i parë perëndimor që priti Gadafin në një vizitë të plotë shtetërore që nga ngrirja e marrëdhënieve në vitet 1980. Kjo për shkak të statusit të tij si i dëbuar si sponsor i terrorizmit shtetëror.