Gossip

Ish-shefi i Google në qendër të skandalit? Paditet nga ish-partnerja e tij 39 vite më e re për abuzim dhe përndjekje?

Ish-drejtori ekzekutiv i Google, Eric Schmidt, është përfshirë në një skandal të ri publik pasi ish-partnerja e tij, Michelle Ritter, e ka paditur për abuzim, përndjekje dhe “maskulinitet toksik”.

Lidhja e tyre pesëvjeçare, që thuhet se ka qenë plot tensione, ka zbuluar prapaskena të bujshme për jetën private të miliarderit 70-vjeçar.

Sipas mediave amerikane, Ritter, 31 vjeç, e kishte kërkuar nga Schmidt që të divorcohej nga bashkëshortja e tij, Wendy Schmidt, me të cilën ai është prej vitesh në një martesë të hapur.

Është një çështje financiare. Ai nuk dëshiron të ndajë pasurinë e tij dhe fondacionin që kanë së bashku

– tha një burim për “New York Post”.

Personat që e njohin ish-shefin e Google pretendojnë se ai ka krijuar një “hierarki” mes gruas dhe të dashurave të tij, duke përcaktuar vetë se kur secila prej tyre mund të shfaqej në publik me të.

Raportohet se Schmidt ka investuar rreth 100 milionë dollarë në startup-in e inteligjencës artificiale Steel Perlot, të themeluar dhe drejtuar nga Ritter – një projekt që përfundimisht dështoi pas ndarjes së tyre.


Një ish-punonjës i kompanisë deklaroi për median:

Ajo kishte një personalitet të paparashikueshëm. Kishte ndryshime të mëdha në sjellje dhe nuk e dije kurrë se me cilin version të saj po flisje.

Ai shtoi se Ritter kishte punësuar persona shumë të rinj, madje organizonte takime në Miami e veshur me bikini, ndërkohë që fitonte miliona dollarë pa pasur pothuajse asnjë shpenzim.

Pas ndarjes, Ritter kërkoi një urdhër të përkohshëm kufizues kundër Schmidt vitin e kaluar, i cili u hoq pak kohë më pas.

Në padinë e saj të fundit, ajo e akuzon ish-shefin e Google për kontroll dhe përndjekje gjatë kohës që ishin në lidhje, duke pretenduar se ai e mbante vazhdimisht nën mbikëqyrje.

Gazetarët kanë kontaktuar Eric Schmidt pas publikimit të akuzave, por ai nuk ka pranuar të komentojë mbi rastin.