Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë në mëngjes, pasi tri pengje izraelite u liruan nga Hamasi në Gazë dhe u rikthyen dje në shtetin hebraik. Një autobus i madh i mbushur me palestinezë u largua nga burgu Ofer, në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ushtria izraelite i paralajmëroi palestinezët të mos festonin në publik, por turmat shoqëruan autobusët. Disa persona u ngjitën mbi ta apo valëvitën flamuj, përfshirë të Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Sipas një liste nga Komisioni për Çështjet e të Burgosurve i Autoritetit Palestinez, të gjithë të liruarit janë gra ose adoleshentë, më i riu 15 vjeç. Izraeli i kishte arrestuar për vepra që lidhen me sigurinë e Izraelit, nga hedhja e gurëve deri te akuza më serioze si tentativa për vrasje.
Lirimi i tri pengjeve izraelite dhe 90 të burgosurve palestinezë është hapi i parë i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, që hyri në fuqi një ditë më parë.
Në mbarë enklavën palestineze pati festime dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre të rrënuara, edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes. Kombet e Bashkuara njoftuan se kamionë me ndihma humanitare kanë nisur të hyjnë në Gaza, pas fillimit të armëpushimit.
Akordi i arritur pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore. Krahas dhënies fund të luftës, pjesë e marrëveshjes është edhe lirimi i pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael, më 7 tetor të vitit 2023, kur militantët vranë edhe 1 mijë e 200 persona.
Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit duhet që të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që ndodhen në Izrael. Pakti përcakton se Izraelit i duhet të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, pritet një rritje e sasisë së ndihmave humanitare për shpërndarje në Gaza.