Shqiptarët kanë paguar rreth 3 milion euro si kamatvonesa për faturat e tyre të energjisë që nuk ishin shlyer në kohë, referuar të dhënave të raportuara nga OSHEE Group për periudhën janar-prill. Numri i faturave për të cilat u arkëtua kamatëvonesë është 1.36 milion.
Kamatëvonesat lindin kur fatura e muajit nuk paguhet brenda afatit 30 ditor të muajit pasardhës. Pra, nëse fatura është lëshuar për muajin janar ajo mund të paguhet pa kamatë deri në fund të shkurtit.
Krahas këtyre, OSHEE-ja vijon prej vitesh që të arkëtojë edhe detyrimet e prapambetura nga konsumatorët që kanë lidhur aktmarrëveshje për shkak të borxhit të akumuluar ndër vite. Këto aktmarrëveshje u lidhën për klientët familjarë e për biznesin dhe parashikonin shlyerjen me këste.
Deri në fund të prillit, arkëtimet totale të Furnizuesit të Shërbimit Universal që është pjesë e OSHEE Group ishin 27 miliardë lekë apo rreth 270 milion euro. Pagesat e faturave brenda afatit kanë rezultuar në nivelin 96% për katër muajt e parë të vitit.
Sipas statistikave periodike të OSHEE-së, numri i konsumatorëve të lidhur në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike rezulton në 1.34 milion dhe në total, faturat me lexim konsumi në 4 muajt të këtij viti ishin 4.1 milion.
Numri i faturave të emetuara pa lexim, pra dëm ekonomik, në total për 4 muaj ishte në një shifër prej 79 teksa nga raportimi standard i dikurshëm është hequr shifra e faturave me konsum zero. Një tjetër tregues i raportuar për janar-prill është ai i numrit të faturave të emetuara pa lexim (energji e pa matur), në 1.2 milion e ku shifrën më të lartë e mban muaji shkurt, me 308 mijë./Monitor