Elbasani dhe Dinamo e kanë mbyllur me barazim 1-1, sfidën e vlefshme për javën e 30-të të Superiores.
Pjesa e parë foli për Dinamon, që shënoi me Karambën. E dytë i takoi Elbasanit.
Verdheblutë barazuan me Mustën, madje i shkuan pranë golit të përmbysjes. Në fund tifozët e shumtë panë skuadrat të ndanin pikët.
Elbasani qëndron në vendin e pestë, teksa Dinamo mban vendin e dytë.
Po në orën 18:00 u luajt edhe ndeshja Partizani – Teuta.
Ekipet kanë mbyllur takimin e javës së 30-të mes tyre me një barazim pa gola që nuk ndryshon pozitat në klasifikim të dy ekipeve.
Në një ndeshje ku ka triumfuar mërzia dhe vërshëllimat e vazhdueshme për faulle të kryesorit Olsid Ferataj, u pa shumë pak lojë e mirëfilltë dhe raste të rrezikshme pranë portave, sidomos në pjesën e dytë ku kishte shumë pak minuta lojë efektive.
Ndaj në fund të dy ekipet padyshim nuk kanë dalë shumë të kënaqura nga rezultati i një ndeshje për t’u harruar me kuptimin e plotë të fjalës.
Po sot, Bylis dhe Laçi barazuan 0-0. Dje Egnatia dhe Tirana barazuan 1-1, ndërsa Skënderbeu mundi 2-1 Vllazninë në Shkodër.