Aktualitet Sport

Bylis dhe Laçi ndahen në paqe, trajneri i kurbinasve Françesko Moriero transportohet në spital në pushimin e ndeshjes

Bylisi dhe Laçi e kanë mbyllur me barazim 0-0 sfidën e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Të dyja skuadrat janë kënaqur me nga 1 pikë në Ballsh.

Kryefjala e ndeshjes ishte penalltia e anuluar në fillimin e takimit, pas rishikimit me VAR. Në anën tjetër rastet që pasuan nuk u konkretizuan, me portierët që reaguan si duhet kur u testuan.

Tashmë Bylisi mban vendin e shtatë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e gjashtë.

LEXO EDHE: Hamdi Salihi përfundimisht jashtë Kombëtares, Silvinjo konfirmon largimin e ish-sulmuesit nga stafi kuqezi!

Trajneri i Laçit, Francesco Moriero u transportua në spital gjatë pushimit të ndeshjes Bylis – Laçi e cila zhvillohet në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit.

Bëhet e ditur se tekniku italian i kurbinasve, ka shfaqur probleme shëndetësore në pushimin e ndeshjes dhe është kërkuar ndihma mjekësore për të.

Trajneri është transportuar me ambulancë në qendrën shëndetësore të Ballshit. Ndërsa Moriero ishte nën kujdesin e mjekësve, pjesa e dytë e takimit ka vazhduar rregullisht dhe ekipi është drejtuar nga ndihmësi i tij.

Pas ndeshjes foli zëvendëstrajneri i Laçit, Endri Bacaj: “Trajneri ka një problem të vogël shëndetësor, gjendja është stabile. Thjesht stresi. Tani është mirë, në kujdesin e mjekëve”, – tha Bacaj.

Sa i takon rezultatit, Bacaj tha: Ne dhe pjesën e parë e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen. Patëm momente kur ulëm ritmin dhe presionin. Na dha motiv për të arritur një rezultat dhe për trajnerin, shpresoj t’ja kemi dhënë. Në radhë të parë dua të them faleminderit për komplimentet, merita e çunave që zhvilluan ndeshje të bukura, taktikat i dërguan deri në fund. U mundëm që në pjesën e parë të luajmë me topin e parë, pastaj anësorët. Në të dytën menduam gjërat bazike.

Ne pamë edhe skuadrën kundërshtare, kishin një mbrojtje fizikisht të fortë. U munduam dhe ne të kishim fizik në sulm. Pastaj kishim ndërrime, futëm Myrtën për freski, për të sulmuar portën dhe t’i ndëshkonim”, u shpreh Bacaj.