Bota

Joe dhe Jill Biden nderojnë viktimat në sulmet e Nju Orlins-it!

Presidenti amerikan, Joe Biden u takua me familjet e viktimave, mori pjesë në një shërbesë lutjesh dhe u ndal në një memorial të improvizuar në Nju Orlins për nder të atyre që humbën jetën në sulmin vdekjeprurës në Ditën e Vitit të Ri në lagjen historike të qytetit. Me Zonjën e Parë, Jill Biden, u ndalën në një përkujtimore në rrugën Bourbon, aty ku një veteran i ushtrisë kreu sulmin duke përplasur një kamion me turmën, duke vrarë 14 vetë dhe plagosur 30 të tjerë.

Lule, mesazhe dhe kryqe ishin vendosur në trotuar për të nderuar viktimat. Më pas çifti u drejtua për tek katedralja St. Louis aty pranë. Presidenti dhe Zonja e Parë u takuan privatisht me familjet e atyre që humbën jetën, të mbijetuarit dhe forcat lokale të zbatimit të ligjit. Më pas, morën pjesë në një shërbesë ndërfetare.

Biden kreu dhjetëra vizita në zona të goditura nga dhuna, fatkeqësitë natyrore dhe të tjera gjatë katër viteve të tij në detyrë. Atij i kanë mbetur vetëm dy javë në detyrë, ndaj vizita në Nju Orlins mund të jetë e fundit e kësaj natyre.

Eshtë një detyrë solemne e presidentëve, megjithëse jo çdo udhëheqës e ka përqafuar një rol të tillë me aq ndjeshmëri sa 82-vjeçari Biden, i cili ka përjetuar shumë tragjedi personale në jetë. Gruaja e tij e parë me vajzën e vogël vdiqën në një aksident me makinë në fillim të viteve 1970 ndërsa djali i tij i madh, Beau, humbi jetën nga kanceri, më 2015-ën.

E kam përjetuar një gjë të tillë. Nuk mund t’i thuash asgjë dikujt që ka pasur një humbje kaq tragjike.

Në raste të tilla, shpesh Biden flet me familjet, nuk ngurron të japë numrin e tij personal të telefonit nëse njerëzit duan të flasin më pas dhe diskuton hapur për dhimbjen e në mënyrë personale.

Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë kapën çastet kur veterani 42-vjeçar i ushtrisë amerikane Shamsud-Din Jabbar shtypi me kamion turmat e njerëzve në fillim të ditës së Vitit të Ri, në Nju Orlins. Një flamur i zi i Shtetit Islamik u gjet në kamionin e tij, duke nxitur FBI-në ta hetojë ngjaren si akt terrorist.

Biden thotë se agjencitë federale të zbatimit të ligjit po hetojnë të gjitha lidhjet e mundshme të agresorit.

Forcat federale të zbatimit të ligjit dhe agjencitë e zbulimit po hetojnë në mënyrë aktive çdo kontakt të huaj apo vendas të tij e që mund të jetë i rëndësishëm në zbardhjen e rrethanave të sulmit. Ne do të vazhdojmë pa pushim luftën kundër ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste kudo ku janë. Ato nuk do të gjejnë asnjë strehë të sigurt këtu.

14 persona u vranë në sulmin e Vitit të Ri në Nju Orlins dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Shamsud-Din Jabbar, vdiq pas shkëmbimit të zjarrit me policinë. FBI-ja tha se ai kishte fshehur pajisje shpërthyese të improvizuara në disa rrugë, përfshirë një kryqëzim, ku zakonisht ka shumë lëvizje të njerëzve.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare u shpreh se ky është një rast tjetër i ekstremizmit të dhunshëm në vend. Më vonë, në ditën e Vitit të Ri dhe më shumë se dy mijë kilometra larg në Nevada, anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, Matthew Livelsberger, hodhi në erë një kamion të kompanisë Tesla, që e kishte me qera, pranë hotelit “Trump International” në Las Vegas.

Livelsberger, një ushtar i dekoruar, për të cilin zyrtarët thanë se vuante nga stresi post-traumatik vrau veten, pak para se kamioni të shpërthente. Askush tjetër nuk u lëndua rëndë. Forcat e zbatimit të ligjit deklaruan se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis sulmeve.