Gossip

“Nuk fle fare”- Trump justifikon pamjet virale me sy mbyllur dhe thumbon Bidenin?

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të parë pas pamjeve virale ku ai shihet me sy të mbyllur gjatë disa eventeve publike, duke mohuar se po dremit në skenë.

Gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale, të martën më 18 nëntor, ku ishte i pranishëm edhe princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, Trump deklaroi se nuk është “një njeri që fle shumë”.

Pyetjes së një gazetari, i cili e përmendi faktin që Trump më herët kishte thënë se bin Salman fle shumë pak, presidenti iu përgjigj:

Ai nuk fle shumë, dhe unë nuk fle shumë. Mendojmë për vendet tona

-tha 79-vjeçari, duke lënë të kuptohet se orët e gjata të punës janë arsyeja e lodhjes së dukshme në kamera.

Trump shtoi se, ndryshe nga disa presidentë të tjerë, ai dhe princi saudit ndajnë të njëjtin ritëm intensiv pune:

Kur e do punën tënde dhe vendin tënd, nuk do të flesh

-u shpreh ai, duke shfrytëzuar rastin për të thumbuar ish-presidentin Joe Biden, 82 vjeç, për të cilin tha se “fle gjatë gjithë kohës”.

Komentet e tij vijnë pas qarkullimit të disa videove në muajt e fundit, ku Trump duket se mbyll sytë për disa sekonda gjatë aktiviteteve zyrtare.

Në maj, gjatë një ceremonie në Arabinë Saudite, kamerat e kapën me sy të mbyllur, ndërsa një episod i ngjashëm u regjistrua më 6 nëntor gjatë një njoftimi në Zyrën Ovale për uljen e çmimeve të ilaçeve për humbje peshe.

Gjatë të njëjtit event, një burrë humbi ndjenjat teksa po fliste drejtori ekzekutiv i kompanisë farmaceutike Eli Lilly, Dave Ricks, dhe u kap në kohë nga Dr. Mehmet Oz, i cili aktualisht drejton qendrën e politikave të Medicare dhe Medicaid në administratën Trump.

Ngjarja ka shtuar edhe më shumë vëmendjen mediatike rreth konferencës dhe komenteve të presidentit mbi gjumin, ritmin e punës dhe rivalitetin e tij me Bidenin.