Botë e Çuditshme Tech

Ju prezantojmë me Fedha, spikeren e parë virtuale të lajmeve!

Së fundmi një media kuvajtiane zbuloi spikeren e parë virtuale të lajmeve, të krijuar krejtësisht nga Inteligjenca Artificiale. “Fedha” u shfaq në llogarinë në Twitter të faqes së internetit Kuvajt News si një imazh i një gruaje, me flokët ngjyrë të çelët, e veshur me një xhaketë të zezë dhe bluzë të bardhë ndërsa prezantonte. Abdullah Boftain, zëvendës/kryeredaktor për Kuwait News, thotë se e gjithë kjo ishte rrjedhojë e testimit të potencialit të AI për të ofruar përmbajtje të re dhe inovative.

“Unë jam Fedha, prezantuesja e parë në Kuvajt që punon me inteligjencën artificiale në Kuwait News. Çfarë lloj lajmesh preferoni? Le të dëgjojmë mendimet tuaja,”-tha në arabisht prezantuesja e krijuar nga AI. Boftain theksoi se Fedha në të ardhmen, do të mund të adoptojë theksin kuvajtian dhe të prezantojë buletinet e lajmeve në llogarinë e sajtit në Twitter.

Fedha është një emër popullor, i vjetër kuvajtian që i referohet argjendit, metalit. Ne gjithmonë i imagjinojmë robotët me ngjyrë argjendi dhe metalike, kështu që i kemi kombinuar të dyja.

Rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale në nivel global pritet të sjellë përfitime si në kujdesin shëndetësor dhe eliminimin e detyrave të zakonshme, por edhe frikën mbi përhapjen e mundshme të dezinformimit. A do mund të zëvendësojë inteligjenca artificiale fuqinë punëtore?

Është kjo pyetja që po pushton botën prej ditësh tashmë pasi platforma më e re digjitale me karakter analitik krijues është e hapur për publikun. Përpos të mirave që përfiton njerëzimi nga zhvillimi i teknologjisë, nga ana tjetër do të përballet me problematikën e lajmeve të rrema apo me plagjiaturën e dembelizmin që do përhapet në shoqëri.