Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker hapi atë që cilësohet si “E para e një serie ekspozitash”, në Trier të Gjermanisë, qyteti i lindjes së Karl Marksit. Sot zbulohet një statujë bronzi, dhuratë nga Kina, në 200-vjetorin e lindjes së filozofit. Skulptura shkaktoi debate, por Juncker zgjodhi të flasë me terma pozitivë. Sipas tij, “Karl Marks mendonte mbi të ardhmen dhe kishte aspirata krijuese”. Zyrtari i lartë europian u kujdes të theksonte se “Sot, atij i atribuohen gjëra për të cilat nuk ka qenë përgjegjës dhe as shkaktar, pasi shumë gjëra që shkroi, u riformuluan në krah të kundërt”.