Aktualitet Rajoni

Dialogu Kosovë-Serbi në fokus të takimit të ministrave të BE-së e Ballkanit Perëndimor!

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE), sot zhvillojnë një takim të përbashkët me homologët nga Ballkani Perëndimor.

Diskutimi mes 27 shefave të diplomacisë europiane dhe gjashtë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit do të shërbejë si nxitje për vazhdimin e diskutimeve mbi situatën në Ballkan.

Pritet që ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, të diskutojnë përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në qershor, në Malin e Zi.

Diplomatë europianë të përfshirë në përgatitjet e takimit kanë paralajmëruar se fokusi i diskutimit do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së e vendeve të rajonit, rritja e qëndrueshmërisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimeve të jashtme negative, harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet, si dhe marrëdhëniet ndërmjet vetë vendeve të rajonit.

Në këtë drejtim, zyrtarë të njohur me përgatitjet, theksuan se ndër temat që Brukseli dëshiron t’i mbajë në fokus do të jetë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këto burime paralajmërojnë se zyrtarët e Brukselit nuk janë të kënaqur me dinamikën e procesit.

Megjithëse në muajt e fundit ka pasur disa rezultate, dialogu mes Beogradit e Prishtinës ende nuk ka dinamikën që do të dëshironim të shihnim. Presim që gjatë diskutimit të jepet një shtysë shtesë për ta avancuar procesin, tha një diplomat.

Ky zyrtar konfirmoi gatishmërinë e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, që, siç u shpreh, “të luajë rolin e saj” në këtë proces.

Megjithatë, diplomatët në Bruksel paralajmërojnë se pavarësisht gatishmërisë për të thirrur një raund të ri dialogu në nivel liderësh, situata e brendshme në Kosovë e vështirëson realizimin e këtij qëllimi. Kjo për shkak të cikleve të vazhdueshme zgjedhore në vend, gjë që reflektohet drejtpërdrejt edhe në vetë procesin e dialogut.