Rajoni

Kancelari Scholz: Do të angazhohem që Shkupi të nisë bisedimet e anëtarësimit në BE!

Sot në të parën vizitë zyrtare në Shkup, kancelari gjerman, Olaf Scholz takoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me të cilin diskutoi për çështjet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe lidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian, bashkëpunimin rajonal e situatën e luftës në Ukrainë.

Scholz: Bashkimi Europian ka dhënë premtim

Kancelari gjerman theksoi se “Nga Gjermania, Ballkani Perëndimor shihet me rëndësi strategjike”.

Unë do të angazhohem për pranimin e rajonit në Bashkimin Europian. Gjermania është tejet serioze me procesin eurointegrues të shteteve të rajonit e në veçanti kjo vlen për Maqedoninë e Veriut. BE-ja i ka dhënë premtim RMV-së ndërsa vendi i ka plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave.

Scholz shprehu admirim për forcën politike që sipas tij “u tregua nga politika” dhe që “mundësoi arritjen e marrëveshjes me Greqinë për emrin”.

Pjesa tjetër e detyrës, gjithashtu duhet të përfundojë me sukses, sepse për të kanë punuar Qeveria dhe qytetarët. Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha parakushtet lidhur me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe unë personalisht do të angazhohem në këtë drejtim. E nxis Maqedoninë e Veriut të vazhdojë rrugën e reformave cilësore.

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski u shpreh se “Gjermania vazhdon të mbetet një nga mbështetëset kryesore në procesin eurointegrues të vendit, duke përfshirë Procesin e Berlinit, si një mekanizëm për realizimin e rekomandimeve të BE-së”.

Në samitin e BE-së në qershor, nën kryesimin e Francës, në Bruksel pritet një mesazh i qartë dhe një hap drejt zhbllokimit të procesit të zgjerimit me nisjen e bisedimeve për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një vend që i ka plotësuar kriteret e kushtet dhe si një vendim strategjik për sigurinë në Europë.

Olaf Scholz qëndron sot edhe në Bullgari. Në qendër të bisedimeve, grindja mes Shkupit e Sofjes që pengon hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Prej vitesh, Bullgaria është kthyer në pengesë, duke ngritur pretendime historike.