Në Prishtinë nga ku nisi të parin tur në Ballkan si kancelar i Gjermanisë, Olaf Scholz tha sot se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës”. Në konferencën me kryeministrin Albin Kurti, Scholz deklaroi se “për dialogun duhet qëndrim konstruktiv” dhe shtoi se “një marrëveshje përfundimtare do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen pjesë e BE-së.
I pyetur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, kancelari Scholz u shpreh:
Angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar. Për këtë flasim me partnerët, që edhe ata të binden siç jemi bindur ne.
Në konferencën e përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se “në fund të këtij viti, Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian”. Shefi i qeverisë së Prishtinës, tregoi se “nga Gjermania ka marrë mbështetjen e plotë edhe për anëtarësim në Këshillin e Europës”.
Kërkesa jonë për mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Europës ka hasur në mirëkuptim të plotë. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për aplikim në Bashkimin Europian, në fund të këtij viti.
Po ditën e sotme, Olaf Scholz do të udhëtojë për në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Po ashtu do të jetë në Greqi ku në Selanik do të zhvillojë një takim me drejtuesit e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore, një forum politik që konsiderohet si ombrella politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Kryesinë e SEECP-së e ka Greqia. Nesër planifikon të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turit rajonal në Ballkanin Perëndimor.