Aktualitet Politikë

Kandidatët për deputetë, Rama vijon takimet me drejtuesit politikë të qarqeve!

Kryeministri Edi Rama sot vijon takimet me drejtuesit politikë të qarqeve, për të diskutuar rreth emrave me të cilët Partia Socialiste do të dalë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Pritet që në mënyrë individuale, Rama të ketë takime me çdo drejtues politik të qarqeve, në njërën prej vilave qeveritare në Tiranë.

Vendimi final merret në mbledhjen e Kryesisë socialiste, më 12 Mars. Ndërkaq, dita e dytë e takimit informal që kryeministri pati dje me ministrat dhe drejtuesit politik, u fokusua te programi qeverisës deri në fund të mandatit të tretë.

“Me ne drejt BE-së, me ata në kënetë”

Gjatë dy ditëve të takimit me ministrat dhe drejtuesit politikë, të premten e të shtunën (7-8 mars) po ashtu u diskutua për programin e Partisë Socialiste në çdo sektor, si dhe retorikën politike që do të duhet të zbatojnë në terren me qytetarët: “Me ne drejt BE-së, me ata në kënetë”.

Për këtë arsye, Rama kërkoi edhe një bilanc të punëve të bashkive gjatë 10 viteve (2015-2025), me qëllimin për të gjetur pikat e forta të arritjeve e për t’i prezantuar ato në fushatë.

Në shqyrtim edhe diaspora, duke analizuar punën e bërë deri tani. Nesër në selinë rozë, kryeministri Rama do të mbledhë bordin e diasporës, për të përcaktuar edhe detajet e fushatës zgjedhore me emigrantët.

Dita e sotme është e treta e takimeve të kryeministrit Rama me ministrat e drejtuesit politikë, në vijim të përgatitjeve për programin zgjedhor dhe kandidatët me të cilët do të prezantohen para shqiptarëve për zgjedhjet e 11 Majit, me synimin për të fituar mandatin e katërt të qeverisjes.