Të apasionuar të shumtë pas futbollit dhe Lionel Messi-t mbushën stadiumin 80 mijë vendësh të ‘Salt Lake’. E gjitha me qëllim për të parë 8 herë fituesin e ‘Topit të Artë’, por parada e tij zgjati jo më shumë se 10 minuta. Kjo për shkak se argjentinasi u bezdis shumë nga disa VIP-a të Indisë, të cilët i qëndronin pranë në çdo hap që ai hidhte.
Për pasojë tifozët e panë shumë pak Messin dhe në stadium vazhduan trazirat, duke sjellë shkatërrimin në masë të tij. Një tifoz u shpreh se paguan deri në 114 euro dhe për asnjë çast nuk arriti ta shohë Messi-n. Pavarësisht kësaj argjentinasi do vijojë turin në vende të tjera të Indisë ku fillimisht inaugurojë statujën e tij 21 metra të lartë.
Kapiteni i ekipit Kombëtar argjentinas do të vizitojë Kalkutën, Hyderabadin, Mumbain dhe Nju Delhin. Statuja ndodhet në lagjen “Lake Town” dhe tregon Messi-n duke ngritur trofeun e Kupës së Botës 2022 në Katar. Ajo u ndërtua brenda 40 ditësh dhe do të përurohet me pjesëmarrjen e lojtarit argjentinas. “Kjo është një statujë 22 metra e lartë. Nuk ka asnjë statujë tjetër të Messit kaq të madhe. E ndërtuam për 40 ditë”, tha Ministri i Bengalit Perëndimor, Sujit Bose.
Ndërkaq, ylli argjentinas foli për dhuratën e tij hyjnore, sakrificat, Kupën e Botës në Katar dhe jetën e tij të re në Shtetet e Bashkuara, ku u nderua me “çelësin” e qytetit.
Messi theksoi se, megjithëse shumë njerëz në botë posedojnë talent të jashtëzakonshëm natyror në sport, arritja e njohjes profesionale kërkon sakrifica të konsiderueshme që jo të gjithë janë të gatshëm t’i bëjnë. Ai tashmë ka investime në biznese të ndryshme, duke përfshirë aksionet e tij tek Inter Miami, një rrjet hotelesh dhe një markë pijesh. Lidhur me përvojën e tij në Shtetet e Bashkuara, Messi shprehu kënaqësinë e tij me jetën në Miami:
“Që kur kam mbërritur në Miami, ka qenë spektakolare. Jeta në këtë qytet është e pabesueshme dhe pastaj dashuria nga të gjithë që nga dita e parë ka qenë e mrekullueshme, kështu që jam shumë mirënjohës”.