Sport

Superiorja, Apolonia-Vllaznia 0-6, sot luhen edhe Laçi-Bylis e Skënderbeu-Teuta

Pas dy barazimeve radhazi pa gola, sulmi i Vllaznisë “shfryn” në transfertën fierake ndaj Apolonisë dhe dërgon plot 6 herë topin në rrjetë duke u dhënë shkodranëve fitoren e pastër tenistike 0-6. Tani ngjiten në krye me 50 pikë, aq sa ka edhe Partizani. Ndaj një Apolonie të dorëzuar në garën për mbijetesë, kuqeblutë nuk e patën aspak të vështirë. Kjo ishte fitorja më e thellë e Vllaznisë në kampionat duke rigjetur entuziasmin e duhur për t’u rikthyer në garë për titullin kampion.

Apolonia-Vllaznia ishte e para ndeshje për sot në vijim të javës së 28-të të Kategorisë Superiore.  Në 16:00 nisin të luhen Laçi-Bylis e Skënderbeu-Teuta që do të transmetohen live në kanalet Supersport në Digitalb.

Në Korçë, Teuta do të kërkojë të marrë hak ndaj Skënderbeut për eliminimin nga Kupa katër ditë më parë dhe njëkohësisht të blindojë pozitat në vendin e parë. Po kaq i rëndësishëm është ky takim edhe për vendasit, që besojnë shumë te mbijetesa. Ndaj durrsakëve kanë një tjetër finale për ta fituar e për t’u afruar edhe më shumë me rivalët direkt si Bylisi e Kastrioti.

Sfida tjetër e javës do të jetë ajo mes Laçit dhe Bylisit, një përballje që vazhdimisht ka prodhuar luftë të fortë sportive e tension. Në fazën e tretë nuk munguan as grushtet në fushë me protagonist sulmuesin Nwabueze. Kurbinasit do të kërkojnë tre pikët për të tentuar triumfin në kampionat.

Nga ana tjetër mallakastriotët besojnë te qëndrimi direkt në elitë dhe duan të shfrytëzojnë në maksimum humbjen e Kastriotit dje ndaj Partizanit, për t’u afruar më shumë me krutanët.

Një ditë më parë u luajtën dy sfidat që dhanë këto rezultate: Kukësi-Tirana 2-2 e Partizani-Kastrioti 3-1.