Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”.
Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
I ftuar në studio ka qenë Adri Nurellari, analist politik i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth ditës së sotme të zgjedhjeve në vendin tonë. Kë shikon ai nga emrat e kandidatëve të Partisë Demokratike në listën e hapur se do t’ia dalë?!
Së pari mendoj se do të dalin ata të partive aleate që kanë dalë haptazi, jam i bindur që do të dalë Shpëtim Idrizi për faktin se ka një avantazh të theksuar përkundrejt të tjerëve ngaqë ka struktura partiake. Do të marrë të gjithë votat e tij, po ashtu ai e ka një të kaluar. Edhe brenda PD-së ka shumë që nuk janë të entuziazmuar me Berishën si lidership duke parë konfliktin e brendshëm. Ata kanë mundësi të votojnë edhe jashtë rreshtit, mendoj se Jorida Tabaku ka bërë një fushatë të mirë dhe e kam parë shumë aktive. Alimehmetin nuk e kam parë shumë aktiv, nga ata që janë rreshtuar të Berishës, Grigels Muçollari ka shumë potencial, shumë aktiv. Nuk është një figurë e konsumuar me pushtet.