Një lajm që po qarkullon në rrjetet sociale dhe në disa media të huaja ka ngjallur dyshime se TikTokeri i njohur, Khaby Lame, mund të jetë arrestuar në Shtetet e Bashkuara për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Pretendimi është bërë nga Bo Loudon, një influencer amerikan me prirje konservatore dhe lidhje të ngushta me Barron Trump, djalin e ish-presidentit Donald Trump.
Në një postim në rrjetet sociale, Loudon pretendon se Khaby është ndaluar në Las Vegas dhe aktualisht ndodhet në qendrën e paraburgimit Henderson, nën kujdesin e agjencisë federale ICE (Immigration and Customs Enforcement).
Sipas Loudon, 25-vjeçari me origjinë senegaleze përshkruhet si një figurë me “prirje të majta ekstreme” në TikTok, dhe ai sugjeron se ndalimi mund të jetë për probleme me vizën apo çështje fiskale.
Megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për arrestimin. Emri i tij i plotë, Khabane Serigne Lame, nuk figuron në databazën publike të ICE, që përfshin të gjithë personat nën mbikëqyrje të kësaj agjencie.
Nga ana tjetër, ish-menaxheri i tij, Nicola Paparusso, konfirmon se nuk ka më kontakte pune me Khaby, por shton:
Khaby është një djalë i mirë. Nëse është ndaluar, ndoshta bëhet fjalë për një çështje administrative, si mungesa e një vize pune për SHBA apo ndonjë problem me deklarimin e të ardhurave.
Për momentin, lajmi mbetet i pakonfirmuar dhe duhet trajtuar me rezervë, deri në një reagim zyrtar nga vetë Khaby Lame apo përfaqësuesit e tij.