Qeveria e presidentit të Kilit, Jose Antonio Kast, do të paraqesë në parlament një projektligj që synon ashpërsimin e dënimeve për të miturit e moshës 16 vjeç e lart të përfshirë në krime të rënda.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Sigurisë, Martin Arau. Aktualisht, në Kili adoleshentët mbajnë përgjegjësi penale që nga mosha 14-vjeçare, por dënimet e dhëna nga gjykatat për të mitur janë më të lehta krahasuar me ato që zbatohen për të rriturit.
Nisma vjen pas vrasjes së një djali 12-vjeçar gjatë një grabitjeje që kishte në shënjestër familjen e tij, ku dyshohet se ishin të përfshirë edhe adoleshentë. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje një projektligj të ngjashëm, i cili kishte mbetur pezull që nga viti 2022.
Sipas ministrit Arau, ndryshimet parashikojnë që adoleshentët 16 vjeç e lart, të akuzuar për vepra të rënda si vrasja, zjarrvënia, përdhunimi apo krime të tjera të rënda, të gjykohen sipas të njëjtave rregulla si të rriturit.
LEXO EDHE: Mrekulli në Venezuelë, një burrë nxirret i gjallë pas tetë ditësh nën 140 tonë rrënoja të tërmetit
Qeveria nuk ka bërë ende të ditur datën e paraqitjes së projektligjit, por synon ta kalojë atë me procedurë urgjente, duke u dhënë dy dhomave të parlamentit vetëm gjashtë ditë për ta miratuar ose rrëzuar.
Ndërkohë, një debat i ngjashëm po zhvillohet edhe në Brazil, ku parlamenti po shqyrton ndryshime kushtetuese që do të ulnin moshën e përgjegjësisë penale nga 18 në 16 vjeç.