Një burrë është nxjerrë gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Venezuelë, tetë ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor.
Hernan Gil u shpëtua pas një operacioni të ndërlikuar, më shumë se 100 orë pasi ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizonin vendndodhjen e tij nën rreth 140 tonë rrënoja. Në operacion morën pjesë qindra efektivë nga Venezuela, Kili, Kosta Rika, El Salvadori, Meksika, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara.
Një zjarrfikës kilian e cilësoi misionin si “operacionin më kompleks dhe teknikisht më të vështirë” të karrierës së tij. Gjatë përpjekjeve, kanalet e krijuara për të arritur te i mbijetuari u shembën disa herë, duke rrezikuar si ekipet e shpëtimit, ashtu edhe vetë Gilin.
Pasi arritën kontakt vizual me të përmes një kamere të vogël, ekipet i siguruan ujë, maskë mbrojtëse, syze dhe serum. Sipas mjekëve, ai ishte në gjendje të qëndrueshme dhe, për mrekulli, nuk kishte pësuar lëndime serioze.
LEXO EDHE: Qëndroi 6 ditë nën rrënoja, shpëtohet gjallë 3-vjeçari pas tërmetit në Venezuelë!
“Hernán na fliste vazhdimisht, na inkurajonte të vazhdonim dhe madje kërkonte pije me shijet e tij të preferuara”, treguan anëtarët e ekipit të shpëtimit.
Gil ndodhej në një kabinë betoni në bodrumin e parkimit pranë qendrës tregtare Galerias Playa Grande, në qytetin Catia La Mar, kur goditën dy tërmetet. Sipas autoriteteve, struktura e kabinës krijoi një “guaskë” mbrojtëse që i shpëtoi jetën.
Bilanci zyrtar i dy tërmeteve ka arritur në rreth 2.300 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.