Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në pritjen e një njësiti të ushtrisë koreanoveriore, pas kthimit në atdhe, në përfundim të misionit në Rusi. Në një fjalim të transmetuar nga KCNA-ja, Kim vlerësoi oficerët dhe ushtarët e Regjimentit të 528-të të Inxhinierëve të Ushtrisë Popullore Koreane (KPA) për sjellje “heroike” e “heroizëm të madh” në përmbushjen e urdhrave të dhëna nga Partia e Punëtorëve të Koresë në pushtet gjatë një dislokimi 120-ditor jashtë vendit.
Në videon e publikuar nga Koreja e Veriut shihen ushtarë me uniformë duke zbritur nga një avion, Kimi duke përqafuar një ushtar të ulur në karrocë invalidi, si dhe ushtarakë e zyrtarë të mbledhur për të pritur trupat.
KCNA-ja raportoi se njësiti ishte dërguar në fillim të gushtit duke kryer detyra luftarake de inxhinierike në rajonin e Kurskut në Rusi gjatë luftës së Moskës në Ukrainë.
Muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri të ditur se trupat e Koresë së Veriut që ndihmuan Rusinë të zmbrapste një inkursion të madh ukrainas në rajonin perëndimor të Kurskut, tani po luajnë rol të rëndësishëm në pastrimin e zonës nga minat.
Sipas një pakti për mbrojtje mes dy vendeve, vitin e kaluar, vendi komunist dërgoi rreth 14 mijë ushtarë për të luftuar përkrah Rusisë në Kursk dhe më shumë se 6 mijë prej tyre u vranë, referuar burimeve nga Koreja e Jugut, Ukraina dhe Perëndimi.
Kim shtoi se nëntë ushtarë u vranë gjatë misionit, duke e përshkruar vdekjen e tyre si “humbje që ta copëton zemrën” dhe njoftoi se regjimenti do të nderohej me Urdhrin e Lirisë dhe Pavarësisë.
Ceremonia e pritjes u mbajt në Phenian dhe u ndoq nga zyrtarë të lartë ushtarakë, udhëheqës të partisë në pushtet, familjarë të ushtarëve e turma të mëdha njerëzish.
Kim shtoi se regjimenti ka pastruar zona të rrezikshme në kushte luftarake e ka treguar “besnikëri absolute” ndaj partisë dhe shtetit. Gjithashtu lavdëroi indoktrinimin politik, disiplinën dhe unitetin mes trupave, duke e quajtur paraqitjen e tyre shembull për forcat e armatosura. Koreja e Veriut ka nderuar haptazi trupat e saj që luftuan për Rusinë në Ukrainë.