Sot në takimin e Kolegjit të 27 komisionerëve europianë pritet të miratohet Paketa e Zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. Për herë të parë, këto raporte do të miratohen për dhjetë shtete. Mes gjashtëshes në Ballkanin Perëndimor është edhe Shqipëria, krahas Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës e Malit të Zi.
Dokumentet e tjera janë për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Ndërkaq, Progres-Raporti ende po hartohet për Turqinë, që formalisht nuk e ka statusin e vendit kandidat. Po ashtu, pritet që Komisioni Europian të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë, si dhe të rekomandojë dhënien e statutit të vendit kandidat Gjeorgjisë.
Përpjekjet për të arritur dakordësi që edhe për Bosnjë-Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave ka hasur në kundërshtime në takimin e zhvilluar dje mes shefave të kabineteve. Në këtë takim, zakonisht dakordësohet teksti final, para se të miratohet. Por, për këtë çështje pritet të bëhen përpjekjet e fundit nga komisionerët në takimin e sotëm.
Në procesin e zgjerimit, Komisioni Europian bën vlerësime dhe jep rekomandime, por vendimet formale miratohen në Këshillin Europian nga liderët e vendeve anëtare të BE-së e që vendosin me unanimitet.
Rekomandimet dhe raportet që do të miratohen sot në Komisionin Europian pritet të jenë në rend dite në takimin e radhës së Këshillit Europian, në muajin dhjetor.
Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Radio Evropa e Lirë publikoi përmbajtjen e disa drafteve. Për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Brukseli zyrtar thekson se ka shënuar “përparim të kufizuar”.
Gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veriun që banohet me shumicë serbe, si edhe procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Në raport shprehet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’iu përmbahen detyrimeve të tyre që dalin nga dialogu, pa kushte e vonesa të tjera. Kosovës i bëhet thirrje të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për të dhe që iu është prezantuar palëve më 21 tetor.