Në vitin 2013, ndërsa Evropa shihte zgjerim dhe stabilitet, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel. Pas viteve të tensioneve dhe dhimbjes së pasluftës, fqinjët dukeshin gati për një kapitull të ri, të pazakontë për historinë e rajonit.
Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dy vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Akordi pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dy vendet, një hap më afër Evropës, pati thënë Ashton.
Mjaft premtuese për dy vende që anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kanë synim strategjik, të paktën me fjalë. Kjo u pasqyrua qartë edhe nga të dy kryeministrat, me Thaçin që vuri theksin te potenciali i marrëveshjes.
Sot kjo marrëveshje paraqet fillimin e një epoke të re – atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë, shprehej Thaçi.
Përtej shpresës së krijuar prej 13 vitesh, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.
Edhe pse udhëheqësit në Kosovë, Serbi dhe Bashkimin Evropian kanë ndryshuar ndër vite, përparimi në pikën kyç të marrëveshjes, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ka mbetur i kufizuar.
Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën në disa parime. Ndonëse ka lënë hapësirë për harmonizim, në Prishtinë ka pasur rezerva të vazhdueshme, për shkak të “ndikimit të mundshëm të Asociacionit në funksionalitetin e shtetit”, ndërsa Brukseli dhe Beogradi kanë këmbëngulur në themelimin e tij.
Në fund, pavarësisht dhjetëra takimeve, një draft-statuti evropian dhe një marrëveshjeje të re pas 10 vjetësh, procesi ka mbetur në vendnumëro.
Serbia ka më shumë se një vit, që përballet me protesta antiqeveritare, ndërsa Kosova me përçarje politike, që për muaj të tërë e kanë lënë pa Kuvend funksional dhe me qeveri në detyrë. Në këto rrethana ka munguar edhe kontakti i drejtpërdrejtë në nivel të lartë. Një takim i tillë mes udhëheqësve të dy vendeve, Albin Kurtit në Kosovë e Aleksander Vuçiçit në Serbi, nuk është zhvilluar që nga shtatori 2023.
Nga këndvështrimi i ish-diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch, ky bllokim i procesit të Brukselit ka pasoja më të menjëhershme për Kosovën se për Serbinë.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, vlerësoi se Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet e në orientimin drejt së ardhmes, teksa politikat e saj mbeten kryesisht të brendshme e jo të përshtatura mjaftueshëm në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik.
Sa herë që jam në Prishtinë ose flas me njerëzit atje, më krijohet përshtypja se ekziston vetëm Kosova dhe asgjë tjetër. Kjo është një qasje krejtësisht e gabuar. Zoti Kurti ka cilësi të dukshme, por nëse nuk kupton se duhet të veprojë si pjesë e një ekipi, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën evropiane, gjërat nuk do të shkojnë mirë për zhvillimin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është e hapur për një fazë të re të dialogut me Serbinë dhe për mënyrën si planifikon ta shmangë ngecjen, por nuk mori përgjigje.
Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, muajin e kaluar, Kurti tha se qeveria e tij do të ndjekë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes një dialogu konstruktiv e kreativ.
Siç kemi vepruar në 4 vitet e kaluara, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral dhe i jashtëm e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme, deklaroi Kurti më 11 shkurt.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja amerikane deklaroi këtë javë se presidenti Donald Trump pret angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku, për të ulur tensionet e për t’u rikthyer në një dialog real, jo vetëm deklarativ.
Tammy Bruce tha se Amerika do të punojë nga afër vetëm me liderë që “shohin nga e ardhmja, e jo nga e kaluara”.
Për Petritsch-in, hapi i parë duhet të vijë nga Prishtina, që duhet t’u ofrojë serbëve përgjegjësi konkrete kulturore, gjuhësore e administrative, sipas Marrëveshjes së Brukselit.
Kjo do të sinjalizonte një qasje të re bashkëpunuese dhe do të krijonte mundësinë për një marrëdhënie të vërtetë me përfaqësuesit serbë. Edhe nëse Serbia do ta kundërshtonte do të dilte ajo si bllokuese e procesit.
Petritsch vuri në dukje se garancitë nga Brukseli janë thelbësore në këtë drejtim.
Ka qenë e qartë që nga fillimi, se evropianët nuk do të lejojnë krijimin e një tjetër Republike Sërpska. Kemi paguar një çmim të lartë për të në Bosnjë dhe nuk duam që të përsëritet në Kosovë. Ndaj, qartazi, bëhet fjalë për çështje kulturore, gjuhësore dhe administrative që duhet të zgjidhen.
Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian nëse ka përpjekje për një fazë të re të dialogut, por nuk mori përgjigje. Këtë javë, por edhe muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi disa vizita në Kosovë e në Serbi, ku theksoi rëndësinë për të çuar para procesin.
Në mars, ai u prit edhe nga zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit në Uashington, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialog, por nuk dha më shumë detaje.
Rikard Jozwiak, redaktor për çështjet evropiane i Radios Evropa e Lirë, thotë se BE-ja po bën përpjekje aktive për një takim të ri mes Kurtit e Vuçiçit, që pritet të mbahet në fund të pranverës, por data e saktë dhe realizimi i tij do të varen nga zhvillimet në terren.
Nuk ka pasur kurrë më shumë optimizëm për një takim mes dy liderëve që kur Kaja Kallas ka marrë detyrën si shefe e Politikës së Jashtme të BE-së. Kjo shihet si mundësia më e mirë në gati një vit e gjysmë që një takim i tillë të ndodhë. Kur saktësisht, nuk dihet, por shpresat janë për diku rreth majit ose qershorit, tha Jozwiak për Exoposenë.
Megjithatë, ai është pesimist për ndonjë përparim thelbësor apo avancim drejt anëtarësimit në BE në një të ardhme të afërt, se siç thotë, “udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd përfitojnë në politikat e brendshme duke mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Brukselit dhe ata nuk presin përfitime konkrete nga BE-ja gjatë karrierave të tyre politike”.
Procesi i integrimit kërkon kohë. E shohim sa gjatë i është dashur Malit të Zi, që nuk ka probleme dypalëshe si këto dy vende. Shohim sa e bllokuar është Maqedonia e Veriut. Shohim sa e bllokuar është Bosnja. Ndaj, premtimi i BE-së, që ishte shumë i fortë në vitin 2013 e madje edhe nga viti 2011 kur nisën negociatat midis Kosovës e Serbisë, nuk e ka më atë peshë. Sa vende janë anëtarësuar në BE që nga viti 2011? Vetëm Kroacia, e cila ishte në rrugë drejt anëtarësimit, kujton Jozwiak.
Ai paralajmëron se kjo status quo mes Kosovës e Serbisë është e rrezikshme, por shton se Evropa është bërë indiferente ndaj rrezikut, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd kanë mësuar të jetojnë me të e madje edhe të përfitojnë prej tij.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Petritsch, por ai nënvizon rëndësinë që Kosova të veprojë me urgjencë.
Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, shtetet e vogla dhe politikisht të brishta janë “të parat që bien” kur shpërthejnë kriza.
Me pasiguritë mbi rolin e NATO-s e të ardhmen e angazhimit amerikan, Petritsch paralajmëroi se Kosova “nuk mund të lejojë status quo”.
Sipas tij, përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nuk është thjesht një detaj teknik, por një kusht thelbësor për stabilizimin e vetë ekzistencës së Republikës së Kosovës.
Në vitin 1999, Kosova ishte i vetmi vend në histori që u çlirua nga një aleancë që mori armët. Sipas meje, kjo i vendos një përgjegjësi të veçantë asaj: të veprojë me maturi, të bashkëpunojë, të bëjë atë që është e nevojshme e të shkojë një hap më tej, për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve evropiane.
Kosova që ende nuk njihet nga 5 shtete të Bashkimit Evropian, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status kandidati për anëtarësim në këtë bllok.
Serbia, e cila deri vonë konsiderohej lidere në procesin e pranimit në Bruksel, nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021, për shkak të refuzimit për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së.
Sipas Jozwiakut, i gjithë Ballkani Perëndimor, tani zë një vend të ulët në agjendën e BE-së. Eshtë i rëndësishëm, por dukshëm në hije nga luftërat në Ukrainë dhe në Iran… derisa ndonjë krizë serioze të mos provokojë vëmendje./Radio Evropa e Lirë