Vendimet për ish-pronarët që kanë përfituar të drejtën për kompensim lidhur me pronat e tyre kapin nivelin 120 miliardë lekë apo 1.2 miliardë euro. Në raportin vjetor, Agjencia e Trajtimit të Pronës pranon se me shumë gjasa, kjo vlerë do të ndryshojë si efekt i ankimimeve ndaj vendimeve të dhëna e që janë brenda afateve ligjore.
Dokumenti specifikon se nga hyrja në fuqi e ligjit 133/2015 deri në mbylljen e procesit të vlerësimit, ka ndërmarrë procedurat administrative të vlerësimit financiar për 27 023 vendime përfundimtare për kompensim të viteve 1993-2013. Në këtë dokument, ATP-ja ndalet edhe një panoramë të përgjithshme të situatës e treguesve financiarë lidhur me vendimet e pronave.
Konkretisht, 20,532 vendime u vlerësuan financiarisht, nga të cilat 915, gjatë vitit 2024.
Nga këto të fundit, 536 janë me vlerë pozitive 4.2 miliardë lekë dhe 73 rezultojnë me vlerë negative -647milion lekë. Ndërsa për 306 vendime pritet plotësimi i dokumentacionit nga ana e subjekteve. Vlera totale e vendimeve me të drejtë kompensimi të vlerësuar financiarisht është 121 miliardë lekë (vlera pritet të ndryshojë pasi ATP është në pritje të përfundimit të ankimimeve nga subjektet në bazë të afateve ligjore).
I njëjti dokument nënvizon se për 3126 vendime nuk është përcaktuar se ku bie parablerja ndërsa për 2532 vendime, subjekti konsiderohet i kompensuar, vlera prej 27.7 miliardë lekësh. Po kështu, ATP-ja vlerëson se janë 833 vendime të fshira gjatë procesit të rivlerësimit të tyre dhe për 3,919 vendimet e prekura nga ndryshimet ligjore, fatura financiare është rritur me 16 miliardë lekë pas ndryshimeve ligjore.
Nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 133/2015, janë depozituar 2,570 kërkesa për kompensim financiar dhe fizik, nga të cilat janë ekzekutuar 33.85%, përkatësisht 870 vendime, me vlerë totale 8.4 miliardë lekë. Nga këto, 87 vendime janë mbyllje procedimi, ndërsa është shpërndarë një sipërfaqe prej 765 ha tokë nga fondi fizik.
Pjesa e mbetur e kërkesave nuk është ekzekutuar, kryesisht për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, vonesave nga ndryshimet ligjore, mungesën e deklaratave noteriale, problematika të lidhura me tagrin e prokurave dhe të tjera çështje administrative që kanë penguar përfundimin e procedurave ligjore./Monitor