Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, thotë se kontrata e re afatgjatë e Erling Halandit është një shenjë e besimit të norvegjezit te klubi. “Është besim”, tha Guardiola në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Ipsuiçin.
“Kur një lojtar vendos të nënshkruajë këtë lloj kontrate, është sepse ai dëshiron të tregojë se sa i vendosur është që të jetë këtu. Ai u përshtat në mënyrë perfekte. Ai e do klubin dhe njerëzit që ka përreth. Ai e do Premier Ligën. Ai është këtu me gruan dhe babanë e tij dhe ka vendosur se nuk ka vend më të mirë për të qenë në 10 vitet e ardhshme, kështu që ai dhe familja e tij vendosën të qëndrojnë”. Kur zbuloi për herë të parë kohëzgjatjen e kontratës së re të sulmuesit të tij, Pep thotë se mbeti i shtangur edhe vetë:
LEXO EDHE: RENDITJA E SUPERIORES/ Egnatia në krye, Tirana në krizë! Buzëqesh Bylisi
“Unë thashë: ‘A mund të përsërisni? A jeni i sigurt?’. Është një lajm i mirë. Do të thotë shumë”. Katalanasit iu kërkua edhe një opinion për krahasimin që i bëhet numrit 9 të Mançester Sitit me Lionel Mesin: “Sa i përket golave të shënuar, ai është i ngjashëm me Leon. Por ata janë futbollistë të ndryshëm. Nuk mund të bëhen krahasime. Leo mund të luajë në pozicione të ndryshme dhe të prodhojë gjithçka për shokët e tij. Ai është i pakrahasueshëm”.
Haland aktualisht ka 79 gola në Premier Ligë nga 87 ndeshje, dhe Guardiola është i bindur se 24-vjeçari do të jetë në gjendje të thyejë rekordin e të gjitha kohërave prej 260 golash të mbajtur nga Alan Shirer. “Nëse ai vazhdon me shifrat që ka shënuar që kur ka ardhur, atëherë po”, tha ai. “Do të varet nga skuadra dhe ai”.