Aktualitet Sociale

Kontratat PPP të sterilizimit dhe dializës përfundojnë më 2026-ën, rriten fondet për laboratorin!

Financimi i kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë hyn në një fazë të re vitin që vjen. Sipas projektbuxhetit, dy nga kontratat më të rëndësishme dhe më të kushtueshme të sistemit, ajo e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale, si dhe e ofrimit të shërbimit të dializës, përfundojnë më 2026-ën.

Të dhënat tregojnë se pagesat për sterilizimin arrijnë kulmin në vitin 2025 me rreth 1.9 miliardë lekë, përpara se të bien ndjeshëm më 2026-ën në vetëm 500 milion lekë, për t’u mbyllur më pas plotësisht.

E njëjta prirje vërehet edhe për kontratën e dializës, ku fondet nga 960 milion lekë më 2025-ën  arrijnë në 815 milion lekë më 2026-ën, për t’u mbyllur në fund të vitit tjetër.

Shifrat tregojnë se Buxheti i Shtetit do të çlirohet gradualisht nga dy angazhimet më të rënda financiare në sistemin shëndetësor, që ishin të debatueshme për kosto të larta.

Vlera e përafërt për financimin buxhetor për dy kontratat e sterilizimit dhe dializës në total arriti rreth 250 milion euro përgjatë viteve 2016-2026.

Kontrata e Laboratorëve, e planifikuar të zgjasë deri në vitin 2030, po bëhet boshti kryesor i skemës PPP në shëndetësi.

Fondet për laboratorët rriten çdo vit, nga 1.8 miliardë lekë më 2024-ën, në 1.9 miliardë më 2025-ën, për të arritur 2 miliardë më 2026-ën dhe 2.15 miliardë lekë më 2027-ën. Për këtë kontratë, financimet janë dyfishuar në raport me parashikimet fillestare.

Kontratat e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe të dializës, të dyja të nënshkruara në vitin 2016 e me afat dhjetëvjeçar, kanë qenë ndër më të kushtueshmet për buxhetin e shëndetësisë.

Të dyja këto kontrata ishin objekt i hetimeve nga institucionet e drejtësisë, shpesh të përmendura në raportet të Kontrollit të Lartë të Shtetit si shembuj të mungesës së analizës së kostove dhe mbivlerësimit të shërbimeve të ofruara.

Kontrata e sterilizimit, në veçanti është shoqëruar me akuza për fryrje të kostove, pagesa të pajustifikuara e procedura të dyshimta prokurimi që kanë përfshirë edhe hetime nga SPAK-u. Gjithashtu, marrëveshja për dializën është kritikuar për çmimet më të larta krahasuar me vendet e rajonit dhe për zbatimin e dobët në disa spitale rajonale.

Kontrata e laboratorëve që mbetet në fuqi po rrit kostot e financimit nga buxheti vit për vit. Edhe ky projekt ka pasur kritika për dobësi në hartimin e kontratës PPP, financimeve të mëdha buxhetore e mungesës së transparencës në raportimin e performancës./Monitor